Kurti përkujton ish-deputetin Smajl Hajdaraj në 24-vjetorin e vrasjes së tij

Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka përkujtuar përvjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në 24-vjetorin e vrasjes së Hajdarajt, kryeministri Kurti thotë se atë e qëlluan dhe e vranë afër banesës së tij në Pejë, persona të panjohur të urdhëruar nga qarqe të tjera të panjohura.
“Edhe pas 24 vitesh, institucionet e drejtësisë nuk e kanë zbardhur rastin e tij. Lidhjet e mundshme dhe të dyshuara të kësaj vrasje me të tjera atentate në ato vite të para pas luftës në Kosovë, kanë lënë të kuptohen motivet politike dhe përçarëse të planifikuesve dhe ekzekutorëve të vrasjes së Smajl Hajdarajt.” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka kujtuar po ashtu se Smajl Hajdaraj ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare pas luftës, ndërsa ishte një profesor i matematikës i cili si i përjashtuar nga sistemi arsimor prej regjimit serb më 1990, ishte angazhuar politikisht në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Më 1998, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u caktuar më pas komandant i shtabit rajonal për Rugovë. Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, Smajl Hajdaraj iu rikthye punës në sistemin arsimor dhe angazhimit të tij politik. Ai ishte njëri nga deputetët e zgjedhur të legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës, por shërbimi i tij u ndërpre dhunshëm nga atenati ndaj tij.” – ka shtuar Kurti.
Kurti ka theksuar se vrasjet e motivuara politikisht dhe vrasjet e aktivistëve politikë dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë krime ordinere, por goditje në jetën politike të Kosovës dhe në ecurinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.
“Andaj mbetet shumë me rëndësi zbardhja e plotë e këtyre vrasjeve, si vënie e drejtësisë për viktimat, për familjarët, për bashkëveprimtarët dhe për mbarë shoqërinë e popullin tonë.” – ka thënë ai.




















































