LAJMI I FUNDIT:

Kurti përkujtoi heroin Bahri Fazliu, në 24 vjetorin e rënies së tij

Kurti përkujtoi heroin Bahri Fazliu, në 24 vjetorin e rënies së tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit sot ka përkujtuar Bahri Fazliu, në 24 vjetorin e rënies së heroit.

Kurti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se edhe në momentin e rënies ai shkrepi armën duke vrarë një nga ushtarët jugosllavë, të cilët e vranë.


Ai po ashtu tha se Bahriu qysh në fëmijëri, mori shembujt më të mirë duke parë vëllain Fahriun dhe shokun e tij Afrim Zhitia, teksa vepronin politikisht.

“Ai nuk u mjaftua me të parë, sepse duke lexuar letërsi, filozofi, ekonomi politike dhe sociologji, u formësua teorikisht duke u përgatitur politikisht përpara se të aktivizohej si luftëtar i armatosur, me shokë si Agron Rrahmani”, ka shkruar Kurti.

Lexoni më poshtë statusi e plotë të Kurtit:

Edhe në momentin e rënies së tij, ai shkrepu armën drejt armikut duke vrarë një nga ushtarët jugosllavë që e vranë. Bahri Fazliu ra dëshmor në Bogiqe, në një zonë kufitare mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, plot 24 vjet më parë, më 7 maj 1998. Qysh në fëmijëri, ai mori shembujt më të mirë duke parë vëllain Fahriun dhe shokun e tij Afrim Zhitia, teksa vepronin politikisht. Por ai nuk u mjaftua me të parë, sepse duke lexuar letërsi, filozofi, ekonomi politike dhe sociologji, u formësua teorikisht duke u përgatitur politikisht përpara se të aktivizohej si luftëtar i armatosur, me shokë si Agron Rrahmani. Pas vrasjes së të vëllait, Fahriut më 1989, ai u betua mbi trupin e tij se do të vazhdonte rrugën politike të tij për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Atë kohë anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, Bahriu u arrestua dhe u burgos për 6 muaj. Por burgu nuk e lëkundi, përkundrazi, ai refuzoi nxitjen e avokatit që të shprehej i penduar për veprimtarinë e tij politike.  

Më 25 maj 1993, Bahriu së bashku me aktivistë të tjerë të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, formuan Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Nga kjo kohë, Bahriu që nga shokët quhej me nofkën “Gëzimi”, do të vepronte dhe jetonte në ilegalitet. Ky njeri që kishte udhëhequr orkestrën “Zëri i Kosovës”, ku ai këndonte dhe luante në çifteli, në sharki, në fyell dhe në kitarë, nga tani do të orkestronte lëvizjet e LKÇK-së për përgatitjen e luftës së armatosur kundër Serbisë okupatore, për çlirimin e Kosovës. “Çlirimi” u bë kryefjala e tij dhe me këtë emër e pagëzoi edhe organin e LKÇK-së, revistën “Çlirimi”. Dy duar të bashkuara pranë një pushke me flamur kombëtar në sfond dhe me moton “Liri a vdekje”, ishte stema e zgjedhur prej tij dhe shokëve marrë nga Muzeu Kombëtar në Tiranë, për revistën “Çlirimi”, që shpërndahej ilegalisht nën pragjet e dyerve dhe kudo ku duheshin shkuar fjalët dhe tekstet e Bahriut me shokë. Në shkrimet e tij, Bahri Fazliu nuk kurseu nga kritika e tij e thellë dhe konstruktive, askënd që nuk ishte për çlirimin me luftë të Kosovës. Autor i projektprogramit të LKÇK-së, më 1 shkurt 1998, në një “Thirrje për bashkëbisedim” drejtuar Shtabit Qendror të UÇK-së, e të cilën e përpiloi në emër të LKÇK-së, Bahriu shkruante: “Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, i interesuar për bashkëpunim me çdo organizëm luftarak, gjë të cilën e ka detyrë edhe programore, fton udhëheqjen e UÇK-së për një bashkëbisedim me qëllim të realizimit të bashkëpunimit UÇK-LKÇK në trojet e pushtuara shqiptare.” Kjo letër iu dorëzua vetë Adem Jasharit, ndonëse ai dhe Bahriu nuk arritën të takoheshin, meqë Kryekomandanti Adem u vra vetëm një muaj më pas. 4 ditë pas rënies së Bahriut (1971 – 1998), më 11 maj 1998, u realizua bashkimi i LKÇK-së me UÇK-në, i ideuar prej tij.

Që në të gjallë të tij, ai na u drejtua me poezinë e tij “Të gjallëve”, ku Bahri Fazliu shkroi edhe këto vargje:

“Nëse dëshironi amanetin e dëshmorëve, 

Mos pyesni kë kishin afër çastin e fundit,

Secili prej nesh ka qenë prezent. 

Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,

Mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,

Lulet do t’ju vyshken në dorë

Nëse …

Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët, 

Ecni në rrugën e tyre,

Aty do të gjeni gjeninë e tyre.”

Andaj, nëse vërtetë e duam dhe e synojmë atdheun siç e deshën dhe punuan për të dëshmorët si Bahri Fazliu, le të ecim rrugës së tyre, se aty do të gjejmë gjeninë e tyre.