Kurti: Ose Qeveria Kurti 2.5 deri në dhjetor, ose Konjufca 1 deri në prill

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot u shpreh para mediave lidhur me çështjen e formimit të qeverisë së re dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja në rast se nuk do të ketë votat e mjaftueshme për mandatarin e ri nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar për formimin e qeverisë së re, të cilën ai duhet ta paraqesë për votim para Kuvendit të Kosovës.
Albin Kurti nuk mori votat e mjaftueshëm gjatë prezantimit të kabinetit të tij herën e kaluar dhe tash mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me Glauk Konjufcën.
Por, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se mandati i ardhshëm qeverisës duhet të jetë "Kurti 2.5 deri në dhjetor", ose "Glauk Konjufca 1 deri në prill".
"Kanë ngelur edhe 10 ditë, mandati është dhënë nga presidentja Osmani për Glauk Konjufcën, ne i urojmë më të mirën. Ritheksojmë se nuk mendojmë se është punë e mençme të shkojmë në zgjedhje në dhjetor dhe pastaj sërish në prill. Deputetët janë përpara përzgjedhjes, ose Kurti 2.5 deri në dhjetor, ose Konjufca 1 deri në prill, por pa asnjërën prej këtyre mundësive, nuk është e mundur dhe duhet të përcaktohet njëra prej tyre", tha Kurti.


















































