Kurti nga Cyrihu: Më shumë armatim kishte në odat e Kosovës sesa në kazermat e ushtrisë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se historikisht Kosova ka pasur më shumë armatim nëpër oda sesa në kazermat e ushtrisë, duke e cilësuar këtë si tregues të mungesës së kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Gjatë një takimi me bashkatdhetarë të shtunën në Cyrih, Kurti tha se kombin shqiptar e kanë mbajtur gjallë oda, çiftelia, pushka, kënga dhe vallja, por theksoi se tani është koha për një fazë të re: kalimin nga ndjenja e fortë kombëtare në vetëdije të lartë shtetërore dhe krijimin e një ushtrie profesionale që mbron vendin.
“Si komb të fortë na ka mbajtur oda, çiftelia, pushka, kënga e vallja. Por tani duhet të kalojmë te një ushtri që na mbron dhe i del zot atdheut”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi nevojën për një ushtri moderne, sipas standardeve të NATO-s, dhe përmendi se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje.
Sipas Kurtit, për të tretin vit me radhë, Kosova ka investuar mbi 2% të Bruto Produktit Vendor në mbrojtje, duke trefishuar buxhetin për ushtrinë, dyfishuar numrin e ushtarëve, katërfishuar trajnimet për oficerë dhe nënoficerë, dhe rritur shumëfish shpenzimet për pajisje, armatime dhe municione.
Kurti theksoi se situata e mëhershme, kur më shumë armatim ishte nëpër oda dhe edhe në Policinë e Kosovës sesa në ushtri, tregonte nevojën urgjente për ndërtimin e kapaciteteve të mirëfillta ushtarake.
“Bile, më shumë ka pasur armatim e municion nëpër oda sesa në kazerma të ushtrisë”, shtoi ai, duke theksuar se sot Kosova po ndërton një ushtri profesionale dhe të aftë për mbrojtjen e vendit.









































