LAJMI I FUNDIT:

Kurti kritikon prokurorinë dhe gjyqësorin: Asnjë mosveprim nuk do të kalojë i pandëshkuar

Kurti kritikon prokurorinë dhe gjyqësorin: Asnjë mosveprim nuk do të kalojë i pandëshkuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përgjigja institucionale ndaj krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme, por inicialisht ky ndryshim duhet të fillojë nga vetë ne.

Kurti në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, tha se kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm

“Vrasja e dyfishtë e mbrëmjes së 30 nëntorit e ka goditur tërë shoqërinë tonë dhe e ka tronditur mbarë popullin tonë. E njëjta ka pasuar vrasjen e një gruaje tjetër nga burri i saj, në shtëpinë e saj para një jave. Derisa ne bëjmë përpjekje për të vetëdijësuar shoqërinë mbi rëndësinë e barazisë gjinore e respektimit të gruas, jemi dëshmitarë të një realiteti që mbetet i shurdhër ndaj thirrjeve, nismave, veprimeve e përpjekjeve tona. Përpjekjeve të cilat i shtyjmë nga dita e ardhjes në Qeveri e të cilat kanë munguar gjatë, shumë gjatë”, tha Kurti, transmeton Telegrafi.


Më tej ai tha se “Me vite të tëra shoqëria jonë e mban dhunën në familje si çështje private, kurse abuzimin ndaj partnerit si çështje dënimi. Ndryshimi është i mundur, përgjigja institucionale ndaj këtyre krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme, por inicialisht ky ndryshim duhet të fillojë nga vetë ne, nga secili prej nesh. Kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm”.

“Dënimi i kriminelëve nuk ka të bëjë vetëm me një të kaluar të shkuar, por pikërisht me një të kaluar që nuk shkon. Njëmend drejtësia nuk e ngjall njeriun e vrarë dhe as nuk e zhbën krimin e ndodhur, por ajo ndëshkon kriminelin, e dërgon atë në burg duke e izoluar nga shoqëria së cilës ai i bëri dëm dhe jep shembullin për të gjithë ata që një mendim për krim do të mund ta bënin vepër kriminale. Vuajtja e dënimit nuk shërben vetëm për rehabilitim të të burgosurit, por edhe si simbol i dënimit të së keqes nga shteti, nga shteti i së drejtës. Shembull që shteti nuk fal, që shteti mbron, që shteti ruan si vlerën më të madhe të shoqërisë”.

Kurti tha se në raste si ky i fundit, Policia nuk i paraprin prokurorisë dhe gjyqësisë, por i pason ato në mënyrë të dyfishtë: policia zbaton urdhrat e prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe vepron në një kontekst social të sendërtuar ndër shumë vite nga gjykimet e dënimet, apo më mirë të themi mos dënimet e mëhershme.

“Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”.

“Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë”, tha Kurti në takimin e Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili është mbajtur sot pasdite me ftesë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. /Telegrafi/