Kurti i ftoi në takim opozitën rreth presidentit, Abdixhiku: Vetëm pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, por se takimi do të mbahet vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një reagim publik, Abdixhiku ka theksuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit, duke sqaruar se takimi mund të zhvillohet në ditën e parë pas shpalljes së verdiktit nga Gjykata Kushtetuese.
“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se përderisa çështja e zgjedhjes së presidentit është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, proceset politike duhet të presin vendimin e këtij institucioni.
“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka theksuar ai.
Sipas Abdixhikut, respektimi i këtij rendi institucional është i rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe institucioneve.
“Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet pritur me qetësi dhe respekt institucional, ndërsa pas shpalljes së tij mund të zhvillohen edhe takimet politike.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/



























