LAJMI I FUNDIT:

Kurti kujton Konushevcin e Malajn: Dy dëshmorët e kombit të cilët nuk kursyen asgjë

Kurti kujton Konushevcin e Malajn: Dy dëshmorët e kombit të cilët nuk kursyen asgjë

Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe dhe vendosi kurora me lule te varret e heroit të kombit, Ilir Konushevci dhe doktor Hazir Malajt, në 25-vjetorin e rënies së tyre.

Gjatë homazheve, Kurti tha se sot “jemi bërë bashkë​ me kolegë ministra e deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me familjet Konushevci dhe Malaj që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit të cilët nuk kursyen asgjë e të cilët dhanë jetën në mënyrë që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vetë”.


Në këto homazhe ai u shoqërua nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli dhe Driton Hyseni dhe asamblistë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti

“Sot me datë 9 maj kur u bënë 25 vjet të rënies së Ilir Konushevcit dhe doktor Hazir Malajt erdhëm këtu bashkë me kolegë ministra e deputetë, me zëvendësryeministren Rexhepi dhe me të dy familjet, me familjen Konushevci dhe Malaj që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit të cilët nuk kursyen asgjë, të cilët dhanë jetën në mënyrë që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vetë.

Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit, ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës e cila bëhet mirë e mbarë pikërisht duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë por njëkohësisht dhe vullnetit të paepur të popullit tonë për liri.

Sot Iliri dhe doktor Haziri i bënë bashkë familjet e tyre të ngushta por na bënë bashkë edhe të gjithë neve dhe e bëjnë bashkë por si një familje shumë të gjerë, tejet të gjerë popullin shqiptar sepse janë dëshmorët e kombit ata të cilëve asnjëherë nuk mund t’ua lajmë borxhin e ta kryejmë obligimin përderisa ne vetë jemi gjallë.

Andaj lavdi Ilir Konushevcit, doktor Hazir Malajt dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të popullit shqiptar”. /Telegrafi/

Me respekt,
Zyra për Komunikim Publik
Zyra e Kryeministrit
Ndërtesa e Qeverisë, bulevardi “Nënë Tereza”, pn
Zyra numër 102;
Tel: +38338 200 14625, +38338 200 14911, +38338 200 14045, +38338 200 14641, +38338 200 14803
email: zkp.zkm@rks-gov.net
web:www.kryeministri.rks-gov.net