Kursani: Mund të kemi kryeministër nga “zarfi”

“ Ka shumë arsye të besohet se një kryeministër mund të nxirret o nga “zarfi” o nga ndonjë “kuti” tjetër ndryshe nga kutitë e KQZ-së nga të cilat del vullneti i qytetarëve të Kosovës. Nëse e shikojmë historikisht këtyre viteve të fundit, një President na u zgjodh nëpërmjet SMS-it, një tjetër nëpërmjet zarfit; e pyetja që do ta shtroja është çka ka ndryshuar në 3-4 vitet e kaluara që sot mos të nxjerrët një Kryeministër jashta kutive të vullnetit të qytetarëve?”, ka thënë Kursani për Gazetën Blic.
Ai ka thënë se nuk kanë ndryshuar rrethanat dhe se pjekuria e liderëve politikë në Kosovë është në nivelin që ka qenë më herët.
“Tjetra që më bënë të besoj se një Kryeministër apo qeveri e tërë mund të dalë nga “zarfi” apo kuti të ngjashme jashtë vullnetit të qytetarëve, është se komuniteti ndërkombëtar nuk është edhe aq shumë i interesuar për demokracinë afatgjate në Kosovë, sa janë të interesuar për stabilitet të supozuar afatshkurtër në vend. Gjykuar nga ndikimi që këta ndërkombëtar kanë mbi liderët e papjekur të Kosovës, atëherë gjasat shtohen për të besuar se një gjë e tillë mund të ndodh. Kjo natyrisht që është grusht ndaj demokracisë, sepse ndikimet e tilla nga jashtë çojnë poshtë mundin dhe vullnetin e qytetarëve për ta zgjedhur të ardhmen e tyre qeverisëse përmes zgjedhjeve. Me këso ndikime nga jashtë në Kosovë do të shtohen pyetjet e sojit: pse të votojmë për ata që nuk i bëjnë ballë presioneve të jashtme jo demokratike dhe krejtësisht të padrejta”, ka thënë Kursani.
Ndërsa lidhur me opsionin e përfolur për një Qeveri teknike, ai ka thënë se qeveritë teknike krijohen edhe në Evropë dhe gjetiu në botë.
“Por në rastin e Kosovës mendoj se është ndryshe, dhe një qeveri teknike vetëm se do të jetë krejtësisht nën menaxhim ndërkombëtar e cila nuk do të punoj për zhvillimin e vendit, por pikërisht për mbajtjen e stabilitetit të supozuar afatshkurtër. Kjo normalisht që i konvenon PDK-së, pasi që me një qeveri teknike, e cila natyrshëm nuk do të jetë e fortë që ta luftoj krimin dhe strukturat e saj tashmë të instaluara në institucione shtetërorë, PDK-ja do të vazhdojë ta mbaj ndikimin e saj po në këto institucione – polici, gjyqësi, prokurori – institucione këto pikërisht përgjegjëse për t’i luftuar strukturat kriminale të instaluara në të mirë të PDK-se e në dëm të shtetit. Kështu që Kosovës nuk i duhet një qeveri teknike, por qeveri e cila ka një program të qartë për zhvillimin dhe forcimin e vendit, e mbi gjitha qeveri e cila e ka guximin për ta bërë një gjë të tillë’, tha ai, duke potencuar se nuk sheh arsye se pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Rezultati është ky që është, dhe nuk mund të ketë ndonjë ndryshim të madh. Për më shumë edhe për arsye se, logjikisht, prapë do të përfundojë situata këtu ku është, mirëpo ajo do ta zgjidhte paragjykimin për legjitimitetin e bllokut opozitar. Kjo sepse ky bllok opozitar të cilit po i kontestohet legjitimiteti, do të hynte në zgjedhje si koalicion para-zgjedhor dhe do ta kemi sërish këtë propozim në tavolinë. Pra zgjedhjet nuk do të sillnin ndonjë ndryshim përveçse do ta qartësonin më shumë legjitimitetin e bllokut opozitar – normalisht nëse këta do të hynin në zgjedhje të bashkuar në koalicion parazgjedhor’, ka thënë Kursani. /Gazeta Blic/

















































