LAJMI I FUNDIT:

Kurrë më!?

Kurrë më!?

Po, bashkëqytetarët e mi romë, ashkalinj dhe egjiptianë, duhet ta thonë këtë me zë të lartë dhe të qartë: “Nuk do të lejoj më kurrë që unë dhe familja ime të kërcënohemi nga uria”!

Kur pandemia COVID-19 na trokiti në dyer, e gjithë shoqëria jonë nxitoi të blinte miell. Ju mund të keni parë rende të gjata me njerëz, që formoheshin përpara mullinjve, dhe njerëz gati duke luftuar nëpër dyqane për të blerë ushqime. Në këtë rast, frika dhe paniku kapërcyen mendimin dhe sjelljen logjike. Por, një situatë interesante më tërhoqi vëmendjen; Ju vështirë se mund të gjenit ndonjë rom, ashkali ose egjiptian në ato turma. Jo sepse ne jemi më racionalë dhe nuk kemi frikë, përkundrazi, ne jemi frikësuar edhe më shumë sepse e dinim se nuk mund ta përballonim atë financiarisht.


Unë personalisht e njoh shumë mirë atë frikë dhe panik. Shumë prej nesh në Kosovë e dinë se çfarë do të thotë të jesh në panik për shkak të pafuqisë. Të shohësh duke vuajtur të afërmit tuaj, fëmijët tuaj, motrat dhe vëllezërit ose prindërit tuaj duke shkuar në shtrat të uritur dhe duke e ditur që nuk kanë asgjë për të ngrënë e nuk mund të bëjnë absolutisht asgjë në lidhje me këtë gjendje. Dhe, kjo ndjenjë e pafuqisë, e të hidhurës dhe nervozes, duke ditur dhe kuptuar vendin tuaj në skaj të shoqërisë, nuk është komplet faji jonë. Është pjesërisht produkt i mijëra veprimeve historike të persekutimit dhe efekteve negative, socio-ekonomike mbi romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Është injoranca e këtyre veprimeve negative të së kaluarës nga shoqëria mazhoritare. Është pasqyrimi i kulturës në përralla zanash, si predikues të fatit të keq dhe vallëzueseve joshëse. Është përvetësimi i imazheve të romëve dhe praktikave kulturore në kurriz të njerëzve të vërtetë. Është qasja e pabarabartë në ujë të pastër dhe në strehë të sigurt. Është pikërisht ndarja gjeografike mes ciganëve nga jociganët.

Papunësia e lartë deri në qiell, si dhe jetëgjatësia në mënyrë drastike më e ulët, rrjedhin si pasojë e paragjykimeve të përhapura në polici, gjyqësi, qeveri, sistemin e kujdesit shoqëror dhe shërbimeve shëndetësore etj. Të gjitha këto kanë ndikuar në psikikën kolektive që na shohin si ‘ciganë’ dhe për këtë arsye, në nivel bazikë më të ulët se komuniteti shumicë.

Pra, ky është antigjipsizmi, qëndrimet kundër romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve ose shprehja e stereotipave negativë në sferën publike me gjuhë të urrejtjes. Një spektër më i gjerë i shprehjeve dhe praktikave diskriminuese përfshin shumë manifestime implicite ose të fshehura. Diçka që nuk ka të bëjë vetëm me ato që janë thënë ose bërë, por edhe me ato që nuk thuhen dhe nuk bëhen.

COVID-19 është armik i racës njerëzore dhe për këtë arsye duhet të trajtohet si i tillë, nga të gjithë. Nuk bënë diferencime dhe përfshinë të gjithë, pavarësisht nga gjinia, mosha ose origjina e tyre etnike. Duke e ditur këtë fakt, kemi frikë se nëse ky virus vjen në vendbanimet tona, në shtëpitë tona dhe përfshinë njerëzit tanë, do të jetë i pamëshirshëm. Me një fjalë: dëmi do të jetë i tmerrshëm!

Kështu, ne duhet ta themi këtë me zë të lartë dhe të qartë, tani: Kurrë më!

Ne nuk do të lejojmë që të gjendemi përsëri në të njëjtën situatë. Kur të mbarojë pandemia COVID-19, ne atëherë do ta fillojmë luftën tonë. Por, këtë herë, edhe më me shumë pasion dhe besim. Do ta fillojmë luftën për arsim më të mirë dhe më cilësor, kundër varfërisë, kundër padrejtësive dhe pa dyshim kundër pabarazive.

Ka mënyra të ndryshme sesi ta bëjmë atë dhe ka shumë shembuj pozitivë që mund t’i ndjekim. Ndryshimi i praktikave dhe qëndrimeve të sjelljes është një nga më të rëndësishmet, veçanërisht për gjërat që konsiderohen si stereotipa, por që mbizotërojnë ende në komunitetet tona.

Mirëpo, ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë vetë këtë ndryshim. Do të na duhet mbështetja dhe përkrahja e plotë e gjithë shoqërisë. Sepse, duke qenë me neve komuniteti shumicë, do të jenë edhe ata pjesë e ndryshimit. Andaj praktikat dhe manifestimet e antigjipsizmit duhet të zbuten dhe të zhduken në mënyrë që t’ia arrijmë qëllimit.

Po ashtu, institucionet shtetërore, sa iu përket komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian, do të duhej të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa më afatgjata në fushën e strehimit, zhvillimit të infrastrukturës, pjesëmarrjes ekonomike (punësimin dhe vetëpunësimin), qasjen në arsim dhe masa për të luftuar antigjipsizmin në shumë sektorë.

Por, unë disi mendoj se qeveria dhe shoqëri do ta bëjnë të mundur ndryshimin. Pyetja e vërtetë është se a do ta bëjmë edhe ne?

Epo, ne kemi motivim për një fillim të ri.