Nga: At Zef Pllumi
Nuk mund të përcaktoj moshën që kishm: dy ose tri vjeç. Në shtëpi ishem un i vetëm. Nana kishte shkue te kushrijt. Më kapi nevoja me dalë jashtë e u nisa me hi në pyllin që kishim mbas shtëpije, larg 20-30 m. Në fillim të pyllit nën disa shkoza më ra në sy nji furrik pulash me tri vezë në te. Un hina ma thellë në pyllen me qarra, por kur bana me kthye te shtëpija i mora në këmishë ato tri kokrra vezë. I lashë afër zjarrit e shkova e mora fulteren, sepse më pëlqenin pa masë vezët e fergueme kur mi jepte nana. Fulteres i qita ujë e se unë n’at kohë nuk e njifshem vojin, por e kishem pa nanën me fulteren që kishte nji lang. Zjarrmi ishte pothuaj i shkimun. Mandej theva vezët nji nga nji, njanen mbas tjetret, por ato shkriheshin n’ujë. Kishem ndigjue nanën që nganjiherë kur më fergote vezët thonjte: “duel e prishin” e largote. Kështu tri vezët duelen “të prishuna” e nuk i vuna në zjarr aspak por dola jashtë me gjithë fultere e i hodha përtej murit të arës, të cilin nuk mbërrijshem me e kalue; e i hodha bashkë vezët me gjithë lëvozhgat e bardha. Mbas nja nji gjysh ore po kthen nana prej kushrijve e fillon me ba rangët e shtëpisë. Kishte shkue me e pa furrikun por nuk kish gjetë asnjë vezë aty. Nuk më bani za.
Pak ma vonë erdh Ndou, djali i axhës e anmiku im ma i madh, i cili bashkë me baben tem ruente dhenët shterpa, të cilat i ndrynin në nji kasolle atje në ograje ndërsa delet plleja i binte baba në vathë, ngjitun me shtëpi ku ishet edhe nji kasolle për to.
Nana, e ndjeva se i tha Ndout:
– Kam pasë nji furrik këtu mbrapa shtëpije në të cilën ishin dy voe, por tash që ktheva nga kushrijet nuk pash asnjë kokerr aty. Kush do të mi hanë ato voe, ndonji gjarpën a por tjetër kush?
– Kush ishte ne shtëpi? – e pëveti Ndou.
– Vetëm Preka i vogël- i tha Nana.
– Preka i vogël asht sherr i madh e nuk len gja per së mbarit- i tha Ndoi.
– Jo, more s’ka se si; asht tepër i vogël e ka frigë me hi në pyllë!
– Kush ka frigë me hi në pyllë? Ai asht fëmij i tmerrshëm! – tha Ndou.
Mbas pak minutash Ndou thirri:
– Dadë, o dadë, hajde shif ku ka hjedhë lëvozhgat e voeve!
Dada shkoi e i pa. Mandej më kapi për dore e më çoi në vathë.
– Ti e ke marrë voet atje në furrik?
– Jo, jo!
– Kallxo të drejtën, kush i ka marrë?
– Nuk e dij, un jo!
Uh! Faqezi i vogël, po qysh tash don me u ba rrenacak i keq? Kallxo të drejtën o të mbyta!
– Nuk i kam marrë un, jo!
Atëherë ajo largoi nji krah kallamash kënete nën të cilat ishte nji vandak me thupra thanet që kishin fillue më i mledhë për tharkun e thiut që do të thurej, sepse ato ishin thuprat ma të fortat. Nxori nga ai vandak nji thuper, më uli brekët e filloi me i ra mbrapanicës seme disa herësh rreth tue më bërtitë.
– Mos rrej, faqezi!
Un bërtita me sa za kishem. Mbrapanica eme u ba tanë vraga të kuqe e më duekt se i ndiej edhe sot dhimbjet. Ndërkaq nana bërtiste:
– Faqezi, mos rrej por trego t’vërtetën!
Fati i em, në atë kohë erdh baba me dhenët plleja. Më pa tue kja në kupë të qiellës, erdh te dada e i tha:
– Hej ti, a e luejtë mendësh që don me mbytë djalin?
– Nuk due me e mbytë por due me e mësue që mos të rrejë kurr në jetë, sepse ky faqezi i vogël qysh tash ka fillue me rrejtë.
– Me rrejtë?! Po kur të rritet do të rrejë me doemos, se rrena asht hallat ose vegël pune; ai ke pa ustallarët që me çekiçin, ministrinë, danat e sharren aty në atë strajcë kanë edhe rrenën, përndryshej nuk gjejnë punë. E si mos të rrejë vogëlushi, shif sa e ke marrë thupren tri herë ma të gjatë!…
Baba Gjeto më hoq prej duerve të nanës e filloj me i lëmua vragat e kuqe të thuprës, ndërsa thonte:
– Ma parë shëndoshesh se martohesh – dhe filloi me më puthë në faqe.
Në të vërtetë un, si të gjithë fëmijët e botës, nuk kishem qejf të më puthin kush e sidomos burrat si baba i em, që u rruejshin krye dy javësh, e qymet e mjekes e faqeve të tynë më dukej si të më fërkojshin me lëkurë iriqit, por atë ditë ato të puthuna m’i pat qejfi e sidomos kur baba më bajti në hava e më tha t’i ndimojshem me mjelë delet se mandej do të më falte edhe nji kingj të bukur.
Ai u ul aty mbi nji gur e më mbajti afër vedit ndërsa delet kalojshin nji nga nji papara tij, bashkë me kingjat që lëviznin bishtin tue pritë për me thithë tamlin nga nana e vet. Ndërkaq un limojshem me dorën e vogël e ata vocrrakë përdridheshin.
Dikur erdh para babës nji dele që kishte nji kingj shum të bukur, lara-lara, bardh e zi. Em at më tha:
– Njeket kingj a don me ta falë?
– Po, – i thashë.
Edhe un e putha kingjin në krye, ndërsa ai tue lëvizë bishtin me shpejtësi, e ndeshi kryet e vet në timin.
Nana ishte ulë m’anë tjetër të portares së vathit e i tha babës:
– Po i banë dy laramanat bashkë, na qesin shtëpijet!
– Gjithkush don shokun e vet ! -tha baba.
Mbas pak të gjitha delet hynë në vathë me kingjat e tyne. Baba nuk e shprazi mjelcen në kazan të tamblit ku i kishte bashkue Ndou, djali i axhes, por ia dha nanës në dorë e i tha:
– Merre ktu at tamlin e deles që ka kingjin me lara e psheshja djalit, pse due që kingji e djali të thithin një cicë!
– O nieri – i u përgjegj nana – se çë bidate të reja po na qet!
Baba më muer ngrykë e më shtini në shtëpi. Kërkoi prej nanës nji post e më uli aty afër votrës, ndërsa ai vetë muer nji stol e ndej afër meje.
– Bania gadi përsheshët djalit me tamlin e asaj delje që ka kingjin e larmë!
Nana vuni në zjarm tamlin, mandej muer bluden (pjatë druri) e përsheshi aq sa mund të hajthem un. Kur vloi tamli e shprazi mbi përsheshët në bluden që ishte në police (sergjen) .
Un i hangra ata pshesh me shije të madhe e m’u duk se asnji tambël nuk ishte aq i mirë sa ai i deles që kishin kingjin e larmë.
– A të pelqei?- më pëveti baba- tash venu e flej se të merr baba e të çon te shtrati. Sonte flejmë bashkë sepse tjera herë ke fjetë me nanën. Mbas gjith atij vaji më kapi gjumi aty pranë zjarrit.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR
Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje