LAJMI I FUNDIT:

Kupchan: Ballkani të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

Kupchan: Ballkani të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rajoni i Ballkanit gjendet në listën e prioriteteve të administratës amerikane.

Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetown në Uashington, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës.


Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.

“Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë.

Pra është person që ka lidhje për kohë të gjatë me këtë rajon. Po ashtu mendoj që këto janë edhe përpjekje për të investuar në diplomatë të karrierës në shërbim të jashtëm, për t’u rimëkëmbur nga epoka e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump, kur nuk ka pasur shumë performancë të mirë në Departamentin e Shtetit. Prandaj mendoj se është kombinim i përfshirjes së profesionistëve të karrierës dhe shqetësimeve të presidentit për Ballkanin”, tha ai.

“Nëse dëshironi të thoni se a është prioritet global? Përgjigja është jo. Unë them se ai ka dy prioritete kyçe. E para, që e dominon presidencën e tij, është rregullimi i gjërave brenda SHBA-së, miratimi në Kongres i paketave të mëdha për investime, për të ndihmuar popullin amerikan dhe për t’u siguruar se epoka e Trumpit, apo diçka e ngjashme, nuk do të përsëritet më kurrë.

E dyta ka të bëjë me implikimet nga rritja e Kinës. Rritja e Kinës, në disa mënyra përbën temë kyçe gjeopolitike të kohës sonë. Mirëpo nëse dikush pyet se cilat janë prioritetet rajonale, mendoj se Ballkani është ngritur në listë, kryesisht për shkak të punëve të papërfunduara të komunitetit atlantik. Mendoj se ndarja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë, ka krijuar disa efekte politike, të cilat nuk janë përfunduar ende.

Unë mendoj se e di si përfundon kjo gjë. Kjo çështje përfundon me integrimin e plotë të rajonit në institucione atlantike. Vetëm se nuk e dimë kur do të ndodhë kjo gjë. Mendoj se administrata Biden do ta bëjë këtë gjë prioritet”, tha Kupchan.

“SHBA dhe BE të bashkojnë forcat për marrëdhëniet Kosovë-Serbi”

“Ato çfarë do të shohim tani janë përpjekje për kaluar në aspektin politik dhe për të normalizuar marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk e besoj që dikush ka iluzione për këtë punë. Do të jetë e vështirë. Politika në të dyja anët është shumë e vështirë. Mirëpo mendoj se janë bashkuar forcat në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që mund të krijojnë presion të jashtëm dhe stimujt e nevojshëm për të orkestruar përparim. Mendoj se një nga gabimet që ka bërë administrata Biden është se ka ndjekur rrugën si e vetme, dhe BE-ja po ashtu rrugë të vetme. Pres të shoh SHBA-në dhe BE-në që të bashkohen për të shënuar përparim në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ky më duket ekipi më i mirë për të çuar çështje përpara”, tha ai.

Ndërkaq, rreth asaj që Parlamenti Evropian ka kritikuar BE-në se nuk ka përmbushur premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor, eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara tha se kritikat nga Parlamenti Evropian nuk janë për t’u befasuar dhe të paarsyeshme.

“Një kombinim i krizave politike brenda Evropës Perëndimore dhe Shteteve e Bashkuara, plus pandemia, kanë ndikuar që një periudhë të ketë më shumë fokus brenda. Prioritetet kanë qenë rimëkëmbja e ekonomisë, luftimi i pandemisë së coronavirusit, kthimi i njerëzve në punë dhe kjo ka bërë që të ketë më pak vëmendje në agjendën e politikës së jashtme. Sa i përket Evropës, kemi parë një lodhje nga zgjerimi dhe një fokus në Brexit dhe menaxhim të situatës pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Ende nuk e kemi tejkaluar pandeminë, ende duhet bërë shumë punë. Mirëpo e vërej që, si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington, ka një marrëveshje që për çështjet e papërfunduara në rajonin e Ballkanit, kjo është kohë e përshtatshme për t’i adresuar ato. Vlen të përmendet se ajo çfarë po motivon të dyja palët e Atlantikut janë Rusia dhe Kina. Rusia ende përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet politike në rajon, në të mirë të saj. Kina është duke tentuar të depërtojë në Evropën Juglindore. Prandaj SHBA-ja dhe BE-ja dëshirojnë ta mbajnë Ballkanin Perëndimor larg ndikimit rus dhe atij kinez. Dhe kjo gjë nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe drejtimin e të gjitha shteteve të rajonit në rrugë për anëtarësim në BE dhe NATO”.

“Christopher Hill, njeri me shumë peshë në qarqet diplomatike”

Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara ka folur edhe për atë se cilat do të jenë prioritetet e Christopher Hill-it në Serbi.

Do ta ketë një agjendë të gjerë. Marrëdhënia me Kosovën do të zë pjesën më të madh, por gjithashtu edhe përfshirja ruse në Serbi, më pas ekonomia ruse dhe nevoja për ta bartur Serbinë në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë besoj se do ta dominojë mandatin e tij, për aq kohë sa ekziston si çështje në rajon dhe që vazhdon të krijojë tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve etnikë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në linja kufitare në Maqedoni të Veriut. Mendoj se kjo çështje është e vështirë, por që do të ndihmojë në përmirësim të marrëdhënieve në rajon.

Fillimisht, Christopher Hill, i njeh lojtarët dhe do të ketë marrëdhënie personale të fuqishme me disa prej figurave të rëndësishme në rajon. Dhe kjo është gjë e mirë për fillim. Nuk do t’i duhet të krijojë lidhje. Së dyti, ai është njeri me përvojë të jashtëzakonshme dhe ka shumë kredibilitet në Uashington. Kjo nënkupton se ai do të ketë qasje të drejtpërdrejtë jo vetëm te Sekretari (amerikan i Shtetit, Antony) Blinken, por edhe në Shtëpi të Bardhë dhe lojtarë tjerë kyçë. Ai ka shumë peshë në qarqet diplomatike. Ai ka shumë përvojë brenda Departamentit të Shtetit. Ka qenë edhe jashtë për një kohë dhe ka krijuar reputacion si komentator i zgjuar, si dhe analist. Ai është një prej individëve më me përvojë dhe reputacion të lartë dhe mendoj që ky është lajm i mirë për Serbinë.

Është e vështirë që të thuhet se kë mund ta dërgojë atje Departamenti amerikan i Shtetit. Mirëpo mendoj se diskutimi lë të kuptohet se rajoni është në listën e prioriteteve. Në këtë rajon janë duke u dërguar diplomatë me përvojë, qoftë si ambasadorë apo edhe zëvendës-ndihmës Sekretari për këtë rajon, si dikush me reputacion të madh. Mesazhi që është duke u dërguar është se, SHBA-ja e sheh rajonin si prioritet. Qeveritë në rajon duhet të jenë të përgatitura dhe mund të presin rikthim të angazhimit intensiv amerikan”.

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori