Trashëgimia kulturore, përfaqëson një aset të fuqishëm shtetëror për Kosovën. Shumë qytete të Kosovës kanë një trashëgimi të pasur kulturore, me të cilën e kujtojnë dhe e mbajnë gjallë historinë e vendit ndër shekuj.

E një prej tyre është edhe kulla e Sheremetit në Pejë, e që padyshim historia që bartë ajo me vite në gurët e saj është e dhimbshme.


Arkeologu Sefer Lajçi, thotë që kjo kullë në vitet e pushtimit jugosllavë, ka shërbyer si burg famëkeq ku janë torturuar mizorisht shqiptarët.

“Këtu jemi në kullën e Sheremetit, një kullë me një rëndësi të veçantë. Kjo kullë i takon shekullit të XVIII, rëndësi e kësaj është se po flasim për një  kullë të një familje Sheremti, familje e ardhur nga  Sheremetajt e Gjakovës. Një familje e pasur, dhe kulla e tyre jo vetëm që ka shërbyer si shtëpi e tyre por edhe më vonë edhe si burg. Dita e hënë 11 gusht 1947,  ditë e zezë për qytetin e Pejës ku në këtë hapësirë ishin të burgosur 100 shqiptarë patriotë dhe intelektualë të shquar të cilët kundërshtonin pushtetin serbo-sllavë të asaj kohe, torturoheshin”, rrëfeu Lajçi.

272445152 472320941139125 3506260134274504950 n Kulla e Sheremtit, Pejë

Sipas Lajçit përveç torturës brenda burgut të kullës së Sheremetit shqiptarët intelektualë dhe patriotë të cilët ishin anti-komunist, u vranë pamëshirshëm kurse gjaku dhe kufomat e tyre u lanë rrugëve të Pejës për javë të tëra.

“ 11 gushti i 1947, ishte ditë kur porta e kësaj kulle ishte lënë hapur qëllimisht. Kurse kur të burgosurit filluan që të dalin nga kjo kullë pra nga ky burg, gjatë kësaj kohe  pozicionimet e pushtetit ishin tek “Ura e Zallit”, dhe në disa pjesë të qytetit. Dhe me largimin e të burgosurve ata i vranin kudo që i takonin ata, rrugëve duke ikur . Kjo e dëshmon faktin se nëpër lagjet e qytetit të Pejës për mëse dy javë mbetën kufomat e pavarrosura të  ekspozuara. Pas dy jave kur aroma e kufomave kundërmonte, pushteti e detyroi kompaninë e pastrimit të qytetit t’i marr këto kufoma dhe t’i varrosë jashtë qytetit. Të burgosurit dhe të vrarit ishin nga të gjitha trojet shqiptare”, theksoi ai.

Pesha e historisë dhe vetë koha, kanë bërë që gurët e saj të bien në tokë, e tani ajo është e “pushtuar” nga mbeturinat, bari dhe shkurret e larta për shkak të mos kujdesit dhe mos-restaurimit nga ana e shtetit .

“Mjerisht kjo kullë sot, është në një gjendje mjaft të rëndë dhe nga kjo nënkuptohet, që sa më parë të zgjatet dora nga institucionet përgjegjëse. Të bëhet renovimi i kullës së Sheremetit,  për të mos i harruar ata që ishin dhe dhanë jetën këtu”, porositi ai.

Përveç që kishte shërbyer si burg kjo kullë, Haxhi Zeka e kishte përdorur mullirin e kësaj kulle për të ushqyer ushtarët shqiptarë, të cilët luftonin armikun në beteja të gjata dhe të përgjakshme.

“Haxhi Zeka në organizimin e luftës për mbrojtjen e territoreve shqiptare të katër dhjetorit të vitit 1879, siç është lufta e Nokshiqit. Ku mullirin e kësaj kulle e kishte përdorur për të bluar dhe për t'ua dërguar miellin ushtarëve shqiptarë që luftonin atje, apo siç njiheshin si “Ushtria e Bardhë”, për shkak të plisave të bardhë që mbanin”, përfundoi Lajçi./Telegrafi/