Kujtimet që ndriçojnë të shkuarën e kinemasë në Prizren, rrëfimi i Hadije Gështenjës shpaloset në Kino Lumbardhi

Fondacioni Lumbardhi të mërkurën më 16 prill prej orës 19:00 vijon me programin e filmave të dedikuar Kinemasë së Kujtimeve, të fokusuar në përjetimet dhe eksperiencat e mëhershme të të parit filma në Kino Lumbardhi.
“Këtë të mërkurë do të kemi në bisedë znj. Hadije Gështenja, e cila ka shumë për të na rrëfyer për vitet e saj të rinisë në Kino Lumbardhi. Znj. Gështenja është arsimtare dhe përkthyese, por përpos angazhimeve të saj, ajo ka treguar dashamirësinë për të ndarë me ne kujtimet e saj kur ai ndihmonte babin e saj Shefki Gështenjën, projeksionist i hershëm dhe më pas drejtor i Kino Bistricës, në përzgjedhjen e filmave”, thuhet në njoftimin e Lumbardhit, raporton Telegrafi.
Pas këtij takimi do të shfaqet edhe filmi i zhanrit sci-fi dhe komedi, i titulluar "Back to the Future", prodhim i vitit 1985 me regji të Robert Zemeckis.
“Marty McFly udhëton 30 vite pas në kohë në vitin 1955 vetëm për të kuptuar se nëse do të shpëtojë ekzistencën e tij, ai duhet të sigurohet që prindërit e tij, të qëndrojnë së bashku”, thuhet në njoftim.
Skenari i këtij filmi, sipas njoftimit, është refuzuar mbi 40 herë nga shtëpitë e prodhimit të filmave, derisa mbërriti të kthehej në një film ikonik dhe përfaqësues i viteve '80 që ende pëlqehet edhe sot.
Programi vijon më 23, 30 prill si dhe më 7, 14, 21 dhe 28 maj prej orës 19:00, në Kino Lumbardhi. /Telegrafi/



















































