Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë nuk ka paqe të vërtetë.


“Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është zemra e kujtesës sonë kombëtare — vendi ku ruhet e vërteta për periudhën më të rëndë të historisë sonë. Me mijëra dëshmi të mbledhura e dokumentuara, ky institucion mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Në takimin me drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij të përkushtuar, theksova se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë”, shkruan presidentja.

Tutje, e para e shtetit thekson se Instituti nuk është vetëm arkiv.

“Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë. Ftoj çdo qytetar, studiues, e çdo të ri të vendit të mbrojë dhe të ruajë këtë kujtesë. Sepse historia nuk harrohet – ajo tregohet e mbrohet, me dinjitet dhe me të vërtetën si themel”, shkruan ajo. /Telegrafi/