Kujdes, Kubë - Donald Trumpi po vjen për ty ...

Nga: Mary Dejevsky / The Independent (titulli: Watch out, Cuba - Donald Trump is coming for you next...)
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas dramës së operacionit venezuelas, fokusi i aktivitetit i ushtrisë së ShBA-së u zhvendos pothuajse menjëherë drejt Iranit, ndërsa dukej se po zhdukej nga vëmendja një objektiv më i dukshëm për versionin e shekullit XXI të Doktrinës Monroe të Donald Trumpit. Ai objektiv është Kuba.
Megjithatë, qetësia relative e muajit të kaluar mund të ketë qenë mashtruese - dhe madje mund të jetë gati të përfundojë, duke sjellë potencialisht një nga ndryshimet më radikale në rajon që nga koha kur Fidel Castro mori pushtetin në vitin 1959 dhe që nga kriza e raketave kubane që pothuajse e çoi botën në luftë tri vjet më vonë.
Ndërkohë që nuk ka pasur ndryshim të regjimit në Karakas, pavarësisht arrestimit të presidentit Nicolas Maduro, ShBA-ja detyroi ndërprerjen e dërgesave jetike të karburantit të Venezuelës drejt Kubës, e cila tani rrezikon një emergjencë më akute se çdo gjë me të cilën është përballur deri më tani.
Në dy javët e fundit, qeveria kubane ka paralajmëruar linjat e huaja ajrore se nuk mund të garantojë furnizimin me karburant për aeroplanët e tyre. Kanadaja ka anuluar të gjitha fluturimet drejt Kubës dhe madje edhe Rusia - e cila mbeti aleate e Kubës pas rënies së Bashkimit Sovjetik - ka njoftuar se po ndalon gjithashtu të gjitha fluturimet drejt Kubës, përveç disa aeroplanëve bosh që po dërgon për të evakuuar turistët e saj.
Me përfundimin efektiv të turizmit, Kuba është duke humbur një nga burimet e saj të pakta të valutës së huaj. Sistemi i brendshëm i racionimit të karburantit, prej kohësh i çrregullt dhe i pasigurt, është në prag të kolapsit. Ndërprerjet periodike të energjisë po prekin shumë zona, përfshirë kryeqytetin, Havanën. Në përgjithësi, laku i Amerikës duket se po shtrëngohet, pa anijet luftarake që qarkullojnë apo pa veprime të drejtpërdrejta nga ana e saj. Është e vështirë të shmanget përfundimi se një fund, i një lloji apo tjetri, është në horizont.
Qëllimet e ShBA-së, nga ana tjetër, mbeten të paqarta. Në fund të muajit të kaluar, Donald Trumpi nxori një Urdhër të rreptë Ekzekutiv duke akuzuar qeverinë kubane për mbështetje dhe rreshtim me “akterë të shteteve armiqësore”, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe për përpjekje për të “destabilizuar hemisferën perëndimore”. Ai kërcënoi me tarifa ndaj çdo vendi që furnizon Kubën me çfarëdo lloj mallrash.
Megjithatë, brenda pak ditësh, Trumpi u tha gazetarëve (në Mar-a-Lago, jo shumë larg Kubës) se Kuba ishte një “komb në dështim”, por se: “Po flasim me njerëzit nga Kuba, njerëzit më të lartë në Kubë, për të parë se çfarë do të ndodhë”. Ai e mbylli në stilin klasik të Trumpit: “Mendoj se do të bëjmë një marrëveshje me Kubën”.
Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, reagoi - përpara një fotografie të Fidel Castros në pamje revolucionare - me deklaratën e tij më formale. Kuba, tha ai, ishte “e gatshme të angazhohej në dialog me Shtetet e Bashkuara, në dialog për çdo temë, por pa presion apo parakushte”. Dëshmi se sa e interesuar ishte Kuba për ta përçuar këtë mesazh ishte fakti që ai u transmetua në televizion dhe radio - dhe në YouTube. Raportet e pakonfirmuara sugjerojnë se bisedimet mund të jenë duke u zhvilluar në Meksikë.
Pavarësisht nëse ka apo jo bisedime, është pozitiv fakti që të dyja palët duket se janë duke komunikuar. Por, kjo gjithashtu ngre pyetje për llojin e “marrëveshjes” që mund të jetë në tavolinë dhe nëse ndryshimi i regjimit i nxitur nga ShBA është përjashtuar, apo nëse ka qenë ndonjëherë realisht në lojë.
Nga opsionet e ndryshme që mund të parashikohen, më dashamirësi do të ishte rikthimi te hapja ndaj Kubës që Barack Obama ndërmori në mandatin e tij të dytë, gjë që lejoi udhëtimin dhe investimet, por që u përmbys nga Trumpi në mandatin e tij të parë. Që një rihapje e tillë të ishte e mundur, Kuba - nën udhëheqjen aktuale ose një tjetër - pa dyshim do të duhej të riorientonte politikat e saj larg Rusisë, një lëvizje që me siguri do të varej pjesërisht nga ajo që do të ofronin Shtetet e Bashkuara.
Por, zgjedhja për Havanën mund të mos jetë aq e vështirë sa do të kishte qenë dikur - dhe ndoshta as për Moskën. Përderisa Rusia mund të dërgojë edhe tani furnizime emergjente me karburant drejt Kubës (gjë që do të kërkonte disa javë dhe do të lehtësonte vështirësitë vetëm për një kohë), vendimi i Rusisë për të evakuuar turistët e saj dhe për të deklaruar zyrtarisht se aeroplanët që mbërrijnë janë bosh (pra, jo të ngarkuar me ushqime apo ndihma të tjera), sugjeron se ajo mund të jetë duke u distancuar nga ky bastion i hershëm.
Prioriteti i luftës në Ukrainë mund të jetë një arsye, por një tjetër mund të jetë simpatia e natyrshme e Rusisë me pikëpamjet e Trumpit për sferat e ndikimit, për çfarë më shumë mund të kundërshtonte sesa të jepte një mbështetje retorike për Kubën.
Opsioni tjetër i qartë i ShBA-së do të ishte ndryshimi i regjimit në Kubë - dhe, në parim, ndoshta nuk ka asgjë që Shtëpia e Bardhë do të dëshironte më shumë. Por, realizimi i tij është një çështje tjetër. Kubanët, madje edhe kubanët e dëshpëruar, kanë një ndjenjë të fortë të historisë dhe identitetit të tyre. Vendosja e një udhëheqësi të ri nga radhët e të mërguarve në Floridë mund të përfundonte keq.
Nxitja e ndryshimit të brendshëm mund të jetë një opsion më realist, por kjo mund të marrë kohë dhe ka pak shenja për një opozitë të brendshme mbi të cilën mund të mbështetet. Për më tepër, Trumpi ka kritikuar përpjekjet e administratave të mëparshme amerikane për ndryshim regjimi, duke këmbëngulur se ai nuk është për imponimin e mënyrave të tjera të jetesës ndaj vendeve të tjera. Deri më tani, ai ka shmangur ta bëjë këtë, përfshirë edhe Iranin.
A mund të ketë një përjashtim për Kubën? Ndoshta, duke qenë se ndryshimi i regjimit është një opsion i përqafuar me entuziazëm nga shumë emigrantë kubanë në ShBA, përfshirë Marco Rubion nga Florida - emigrant kuban i brezit të dytë, i cili është sekretari i Shtetit i Trumpit. Një ndryshim i suksesshëm i regjimit mund të jetë gjithashtu një aset për Trumpin përpara zgjedhjeve të ndërmjetme të Kongresit në nëntor. Nga ana tjetër, një ndërhyrje e dështuar ose e kontestuar mund të kthehet në një barrë, përfshirë edhe për Rubion, i cili shihet si një kandidat me aspirata presidenciale për vitin 2028.
Dobësia për Trumpin nga një version i rishikuar i opsionit Obama (përveç përbuzjes së hapur të Trumpit ndaj Presidentit të 44-të) është se Kuba, ndryshe nga Venezuela me naftën e saj apo Ukraina me mineralet e saj të rralla, nuk ka pothuajse asgjë për të ofruar në këmbim. Kuba ka nevojë për investime masive për të cilat kthimet, edhe në skenarin më të mirë, mund të vonojnë.
Nga ana tjetër, mund të ketë njëfarë tërheqjeje për Trumpin, nëse jo për ta nxjerrë plotësisht Kubën nga izolimi, të paktën për të mos pasur më një faktor irritues të varfëruar dhe një pikë të mundshme armiqësore vetëm 90 milje [145 kilometra] larg Floridës. Ky është ndoshta ndryshimi i vetëm që mund të bëjë më shumë për sigurinë dhe kohezionin, të paktën të pjesës veriore të hemisferës perëndimore.
Pjesë të ish-bllokut sovjetik kanë treguar se sa shpejt mund të lulëzojnë ekonomitë pasi çlirohen nga dogma. Megjithatë, nëse një zgjedhje e tillë pa dramë do t’i rekomandohej përçarësit kryesor që banon në Shtëpinë e Bardhë, kjo mbetet një çështje tjetër. /Telegrafi/




















































