“Kualifikohemi në Botëror”, Vesel Demaku me plot shpresë për Kosovën, flet edhe për lëndimin

Kombëtarja e Kosovës ka kualitetin për t’i mposhtur të gjitha kundërshtarët e play-offit të marsit, ndërsa mund të kualifikohet për herë të parë në Kampionatin Botëror, kështu ka deklaruar mesfushori Vesel Demaku në intervistë ekskluzive për Telegrafin.
Demaku fatkeqësisht ishte mungesa e madhe e Kosovës për kualifikueset e Botërorit, pasi u lëndua para ndeshjes me Zvicrën kur përfaqësonte Altach, lëndim që e la jashtë fushës për plot 98 ditë.
Për herë të parë pas lëndimit, Demaku në një intervistë për Telegrafi deklaroi se është i lumtur që është rikthyer në fushën e gjelbër.
“Po si për çdo futbollist rikthimi pas lëndimit të gjatë është plot emocion sepse ne jetojmë për futboll. Procesi i shërimit ka kaluar shumë mirë, tani që dy javë kam filluar edhe të luaj nga 20–25 min dhe ndihem shumë mirë”.

“Në momentet e para ka një frustrim por megjithatë unë jam profesionist. Pasiguria nuk ka vend tek unë. Motivi ka qenë pasioni për futbollin, familja si dhe besimi”.
“Pas çdo lëndimi si çdo sportist për momentin është më rëndësi që të kthehesh sa më shumë minutazhë në lojë e të tjerat vijnë me rend”, deklaroi fillimisht ai.
Demaku pastaj komentoi edhe ndeshjet e Kosovës, ku ndër të tjera shtoi se ndjenja më e veçantë që ka përjetuar është debutimi në fanellën “dardane”, që e kompletoi në muajin mars.
“Në mars kam debutuar për Kosovën, ishte dhe do të mbetet ndjenja më e veçantë në jetën time, edhe për shkak të familjes sepse gjyshin e kam hero të Kosovës, kurse unë mbas emrin e tij me plot krenari. Për fat të keq u lëndova por me zemër kam qenë gjithmonë pranë kombëtares. Ndeshjet ishin fenomenale”.
I pyetur nëse e ka pritur këtë sukses të lojtarëve, mesfushori nënvizoi se nuk ka mbetur i befasuar, por më shumë i ka pëlqyer fitorja në udhëtim në Suedi.

“Po kam pritur sepse e njoh grupin e lojtarëve. Padyshim kundër Suedisë në Suedi”.
Kosova në gjysmëfinalen e play-offit do të përballet me Sllovakinë, kurse në rast fitores do të luajë me gjysmëfinalistin tjetër Turqi – Rumani në Prishtinë.
Pavarësisht se sfidat do të jenë të vështira, Demaku u shpreh i sigurt se Kosova do të kualifikohet në Botëror 2026, meqenëse ka kualitetin për t’i mposhtur të gjitha kundërshtarët.
“Deri në mars ka edhe pak kohë. Për momentin mundemi të mposhtim cilindo kundërshtarë por deri atëherë lutemi që të gjithë lojtarët të jenë shëndoshë dhe të jemi në formën e duhur”.

“Tifozëve të Kosovës ju dëshiroj çdo të mirë në jetë dhe së bashku i lutemi Zotit që në mars ëndrra të bëhet realitet. Mua personalisht në mars 2024 ëndrra mu ka bë realitet. Shpresoj dhe besoj që edhe në mars 2026 të përsëritet me kualifikim në Kupën e Botës”, përfundoi ai për Telegrafi.
Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Sllovakisë zhvillohet më 26 mars, kurse nëse shkojmë në finale – në Prishtinë përballemi pesë ditë më vonë.
Përndryshe, në rast kualifikimit historik – Kosova do të jetë në të njëjtin grup me ShBA-në, Paraguain dhe Australinë./Telegrafi/



















































