Kryeziu: Gjykata nuk ka sqaruar qartë se cilat janë masat konkrete pas afatit prej 30 ditësh, interpretimi i saj mbetet i paqartë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh.
Në njoftimin e publikuar të premten, thuhet se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë në procesin e votimit.
Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, transmeton Telegrafi.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke shkruar se kjo gjykatë nuk ka sqaruar qartë se cilat janë masat konkrete pas afatit prej 30 ditësh
"Në Pikën ZERO... Gjykata sqaroi se Dehari ka vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe si rrjedhojë, seancat e Kuvendit të mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme. Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, Gjykata nuk ka sqaruar qartë se cilat janë masat konkrete pas afatit prej 30 ditësh. Edhe një herë, interpretimi i saj mbeti i paqartë dhe i paplotë", ka pohuar Kryeziu.
Ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur reagime të shumta./Telegrafi/





















































