Kryeshefi i KRU "Gjakova" inspekton gjendjen e furnizimit me ujë në Rahovec

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU "Gjakova" Hasan Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës një vizitë pune në Rahovec, ku ka inspektuar nga afër Stacionet e Pompimit 1 dhe 2.
Gjatë vizitës, ai është informuar për procesin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe gjendjen aktuale të rrjetit në këtë komunë. Sipas të dhënave të prezantuara, Rahoveci furnizohet me sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm, ndërsa reduktimet që aplikohen pas orës 23:00 lidhen kryesisht me keqpërdorimin e madh të ujit.
Nga vlerësimet e bëra në terren rezulton se humbjet e ujit në Rahovec kanë tejkaluar 69 për qind. Sipas KRU "Gjakova", kjo situatë është pasojë e kombinimit të disa faktorëve, përfshirë keqpërdorimin e ujit, amortizimin e rrjetit të ujësjellësit dhe ekzistencën e kyçjeve ilegale.
Kompania ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e sistemit të furnizimit dhe zvogëlimin gradual të reduktimeve, përfshirë edhe ato gjatë orëve të natës.
Njëkohësisht, KRU "Gjakova" u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që ta përdorin ujin në mënyrë të përgjegjshme dhe ta kursejnë atë, me qëllim që furnizimi me ujë të mbetet sa më i qëndrueshëm dhe i rregullt për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/







































