Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve mbi 200 euro, dhe të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për kryerjen e këtyre obligimeve.

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A – Prizren njofton të gjithë konsumatorët se jemi duke vazhduar me shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të moskryerjes së obligimeve financiare”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.


Aty theksohet se ky veprim po ndërmerret në raport me konsumatorët që kanë borxhe të akumuluara.

“Shkyçjet do të realizohen për të gjithë konsumatorët që kanë borxhe të akumuluara mbi 200 euro, të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për riprogramimin apo pagesën e detyrimeve”, thuhet në njoftim.

Kjo kompani ka bërë të ditur se krahas shkyçjes nga rrjeti i furnizimit me ujë, rastet po dërgohen për procedura edhe te përmbaruesit privat, raporton Telegrafi.

“Për të shmangur shkyçjen, konsumatorët mund të: riprogramojnë borxhin në zyret tona, kryejnë pagesat përmes pikave të arkëtimit të kompanisë, llogarive bankare të shënuara në faturë, Posta dhe Western Union, aplikacioni E-HRJ”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidroregjoni Jugor”. /Telegrafi/