Kriza për presidentin, Koci: Rrezikohet kaos kushtetues dhe zgjedhje të reja

Mundësia për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit mbetet shumë e vogël, ndërsa skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese po bëhen gjithnjë e më të mundshme.
Kështu ka vlerërsuar politologu Melazim Koci në një prononcim për Telegrafin. Koci ka theksuar se aktualisht ekzistojnë vetëm dy opsione teorike, por që sipas tij asnjëri nuk duket i realizueshëm.
“Mundësia e arritjes së konsensusit për presidentin/presidenten është shumë e vogël. Kanë mbetur dy mundësi: konsensus i gjerë i VV dhe opozitës për një emër të përbashkët ose një marrëveshje ndërmjet VV dhe PDK. As njëra as tjetra nuk shihen në horizont. Madje aktualisht nuk ka as përpjekje reale për të gjetur konsensus, përtej deklarimeve formale politike”, ka deklaruar Koci.
Sipas tij, përplasja aktuale politike ka më shumë të bëjë me kalkulime për fajësimin e kundërshtarit sesa me vullnet për zgjidhje.
“Palët janë duke aktruar përpjekjen për gjetje të konsensusit, ndërsa në esencë kemi të bëjmë me një betejë të pastër politike se kush kë do ta nxjerrë fajtor për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pra, më shumë po menaxhohet narrativa publike sesa po kërkohet zgjidhje konkrete”, është shprehur ai.
Koci paralajmëron se procesi mund të mbetet në gjysmë dhe të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, në rast se opozita pamundëson kuorumin.
“Për më keq, ka shumë gjasa që procesi të mbetet në mes dhe të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse opozita braktis sallën gjatë seancës dhe pamundëson kuorumin, nuk përjashtohet mundësia që seanca të mbyllet para përfundimit dhe VV ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke u thirrur në një aktgjykim të mëhershëm sipas të cilit deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në seancë”, ka theksuar ai.
Ai shton se një kërkesë për masë të përkohshme do ta zvarriste situatën për një periudhë të gjatë.
“VV do të kërkonte masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, çka do ta pezullonte përkohësisht situatën dhe do ta zgjaste çështjen për shumë kohë”, ka vlerësuar Koci.
Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Koci thekson se askush nuk do të përfitonte realisht.
“Nëse Kosova shkon në zgjedhje të tjera, fitues nuk do të ketë, por do të ketë një humbës të madh – Kosovën. VV nuk përfiton asgjë nga zgjedhjet e tjera, sepse përsëritja e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit është e vështirë në rrethana të tilla politike. Nuk përfiton as opozita, sepse sipas të gjitha gjasave do të mbetet në kuotat e 28 dhjetorit. Pra, balanca politike nuk do të ndryshonte ndjeshëm”, ka deklaruar ai.
Sipas Kocit, dëmi më i madh do të ishte në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe imazhin e shtetit.
“Për Kosovën, zgjedhjet e tjera mund të jenë shumë të dëmshme në rrafshin e kredibilitetit ndërkombëtar. Mbajtja e tri palë zgjedhjeve parlamentare brenda 14–15 muajve do të dërgonte sinjalin se klasa politike e Kosovës nuk e kupton seriozitetin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe se i mungon minimumi i kompromisit për çështje që prekin interesat shtetërore. Vënia e interesave partiake në plan të parë është duke sfiduar seriozisht demokracinë tonë të re”, ka thënë ai.
Në fund, ai ka paralajmëruar për rrezikun e një krize më të thellë juridike dhe kushtetuese.
“Ka edhe një rrezik tjetër serioz: duke kontestuar dhe relativizuar dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës – konkretisht çështjen e kuorumit ose nëse vendi shkon apo jo në zgjedhje nëse deri më 5 mars nuk zgjidhet presidentja/presidenti, sipas nenit 86, paragrafi 2 – përmes interpretimit politik të saj, vendi mund të futet në atë që mund të cilësohet voluntarizëm politik. Kjo pastaj mund të prodhojë kaos juridiko-kushtetues dhe anarki institucionale. Ky do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej vendit në një moment shumë delikat të zhvillimeve ndërkombëtare”, ka përfunduar politologu Melazim Koci. /Telegrafi/






















































