LAJMI I FUNDIT:

KRENARI

KRENARI

Poezi nga: Dahlia Ravitkovich
Përktheu: Maksim Rakipaj

Po ju them, se dhe shkëmbijtë plasin,
dhe jo për shkak të moshës.
Kohë të gjatë shtrirë në shpinë,
në të nxehtë dhe në të ftohtë,
vite dhe vite me radhë,
pothuajse ju mbushin mendjen se janë të qetë.
Ata s’lëvizin, ndaj dhe plasaritjet nuk duken.
Një lloj krenarie.
Vitet kalojnë, ata presin.
Çka do t’i çajë
ende s’ka ardhur.
Dhe myshku mbi ta lulëzon, leshteriku
i fshikullon,
deti shkapetet mbi ta dhe shkon,
por ata s’tunden vendit.
Derisa ndonjë fokë e vogël vjen e kruhet mbi ta,
herë pas here.
Dhe beftas, shkëmbit i hapet një plagë.
Ju thashë, kur shkëmbi plas, kjo vjen krejt papritur.
Për njerëzit, ca më shumë.