LAJMI I FUNDIT:

Krejt çfarë ndodhi sot në Konventën e PDK-së që e zgjodhi Kadri Veselin për kryetar (Video)

Krejt çfarë ndodhi sot në Konventën e PDK-së që e zgjodhi Kadri Veselin për kryetar (Video)

Pa kundërkandidat dhe pa asnjë votë kundër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është zgjedhur edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-kreu i SHIK-ut, Veseli do ta pasojë në këtë post partiak, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e kishte drejtuar PDK-në për më shumë se 15 vjet.

Kjo ishte konventa e parë e PDK-së pa prezencën e Hashim Thaçit, por i cili u përmend gjatë gjithë kohës dhe atij iu faturuan të gjitha arritjet e PDK-së.


Në fjalimin e tij të parë si kryetar, Kadri Veseli tha se PDK-ja do të mbetet parti e qendrës së djathtë dhe me orientim perëndimor.

Gjatë ditës ishte spekuluar se Rexhep Hoti mund të ishte kundërkandidat për kryetar, por ai përveç që nuk ka kandiduar, ka mbajtur një fjalim mjaft kritik për PDK-në.

Kritika ndaj strukturave drejtuese dhe sidomos ndaj politikave të PDK-së kanë shprehur edhe delegatë nga Deçani dhe Skenderaj.

Kurse drejtuesi i punimeve të Konventës së Shtatë të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, theksoi se Hashim Thaçi është njeriu i vetëm që mund t’i bëjë një profil real Kadri Veselit.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar kryetarin e ri të kësaj partie, Kadri Veseli.

Thaçi ka thënë se ka besim se Veseli dhe lidershipi i PDK-së do t’i forcojë institucionet, do të thellojë më tutje reformat demokratike dhe do të fuqizojë unitetin e vendit.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka uruar Partinë Demokratike të Kosovës për Konventën si dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Sipas një komunikate, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka uruar suksese kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duke shprehur besimin në bashkëpunim të mëtejmë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta të shoqërisë dhe skenës politike kosovare.