LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Taksa 100% rriti konsumin e produkteve vendore

Krasniqi: Taksa 100% rriti konsumin e produkteve vendore

Zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Mevludin Krasniqi, ka thënë se kjo ministri në vitet e fundit e ka përkrahur sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me subvencione dhe grante investive.

Në këtë intervistë dhënë për Epoka e Re, Krasniqi ka theksuar se investimet e kësaj ministrie përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2018 ka arritur vlerën prej 25 milionë eurosh, ndërkaq në kuadër të këtij programi sivjet kanë qenë 25 870 përfitues në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

“Përmes Programit të Zhvillimit Rural, gjegjësisht përmes granteve investive, gjatë këtij viti kemi përkrahur mbi 600 projekte të fermerëve dhe agrobizneseve, në vlerë prej 22 milionë eurosh, ku tashmë jemi në fazën e implementimit të këtyre projekteve”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se Qeveria me politikat e saj strategjike ndërsektoriale dhe në harmoni të plotë me politikat e përbashkëta bujqësore të Bashkimit Evropian, është orientuar për rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit vendorë, duke iu bashkëngjitur trendëve zhvillimore të vendeve të BE-së.

Krasniqi ka folur edhe për importin e drithërave, duke thënë se Kosova vazhdon të ketë import të drithërave, përkundër rritjes së prodhimit vendor në bujqësi ndër vite, ku sivjet rendimenti i grurit ka arritur mbi 250 mijë tonë.

“Realisht kushtet klimatike kanë ndikuar në zvogëlimin e rendimentit në krahasim me vitet e tjera paraprake. Këtë vit jemi duke punuar bashkë me fermerët dhe shoqatat e tyre, ekspertët e ndryshëm të kësaj fushe që të rritet rendimenti i prodhimit të grurit. Po ashtu, do të vazhdojë mbështetja e MBPZhR-së përmes subvencioneve, të cilat synojnë të ndikojnë në rritjen e mëtejmë të prodhimit të kësaj kulture bujqësore”, ka deklaruar Krasniqi.

Duke folur për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ai ka thënë se kjo taksë ka dhënë rezultatet e veta.

“Këtë e tregojnë më së miri edhe të dhënat nga Dogana e Kosovës, por natyrisht kemi edhe shtim të konsumit të produkteve të prodhuara në Kosovë”, është shprehur ai.

Zëvendësministri Krasniqi ka thënë se kjo ministri në programet zhvillimore edhe për vitin e ardhshëm ka planifikuar masa të shumta përkrahëse për fermerët, agrobizneset, industrinë përpunuese ushqimore, përmes të cilave synon edhe më tej rritjen e prodhimtarisë vendore.

“Produktet tona janë të një cilësie të lartë dhe konkurruese në treg. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të vendit tonë që të konsumojmë sa më shumë produkte ‘Made in Kosova’”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se për vitin 2019 nga buxheti i kësaj ministrie prej 61.4 milionë eurosh, bujqësia në vendin tonë do të mbështetet përmes subvencioneve në vlerë prej 24.9 milionë eurosh, si dhe përmes granteve investive në vlerë prej 25.7 milionë eurosh. /Epoka e Re/ Telegrafi/