Krasniqi pas seancës: Kjo situatë është për keqardhje, LVV ka vendosur ta mbajë peng shtetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas ndërprerjes së seancës konsitutive ku e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk mori votat e nevojshme tha se kjo situatë e krijuar është për keqardhje.
Krasniqi tha se po rrëshqasin në një fazë që nuk i ka ndodhur kurrë Republikës së Kosovës.
“... janë bërë 27 ditë prej kur janë certifikuar zgjedhjet dhe ende nuk ka institucione të themeluara nga verdikti i qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurt sepse LVV ka vendosur që të mbajë peng shtetin për shkak të tekeve të tyre për një emër të përveçëm...”, tha ai.
Sipas tij, LVV i takon ta propozojë kryetarin dhe nëse i ka votat dhe e ka krijuar shumicën parlamentare mund të zgjedhin kë të dëshirojë.
“Mentaliteti arbitrar i marrjes së votës me zor nuk ka vend në një sistem demokratik”, tha ai. /Telegrafi/





















































