Krasniqi: Në Kosovë ka ekzistuar vetëm UÇK-ja e jo FARK-u

Krasniqi thotë se në Kosovë është një numër i ish pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët janë në gjendje të rënë ekonomike dhe institucionet nuk kanë krijuar një evidencë të këtyre njerëzve.
Krasniqi mohon se në Kosovë ka pasur Ministri të Mbrojtjes, dukë u përgjigjur pyetjes nëse duhet të futen në Ligjin për veteranët e luftës edhe pjesëtarët e FARK-ut. Por, thotë se ligji duhet të përfshijë secilin që ka luftuar për çlirimin e Kosovës.
“Sikur të kishte pasur shtab tjetër të UÇK-së dhe Ministri të Mbrojtjes nuk do të kishte pasur nevojë të rrezikonim ne jetët tona”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se çështja e FARK-ut nuk është dashur të debatohet, duke thënë se dikush po e politizon këtë çështje.
Thotë se ka marrë pjesë në takimi që është bërë në Popaj me Anton Çunin, Rrustem Berishëm dhe Agim Ramadanin. “Kemi biseduar se si të hyjnë në Kosovë, në Koshare dhe të ndihmojnë luftën”, tha Krasniqi, duke potencuar se lufta ka pasur penguesit e vet.
Krasniqi mendon se Komisioni qeveritar duhet të përcaktojë numrin e saktë të pjesëmarrësve në luftën e UÇK-së, duke konsideruar se numri prej 60 mijë aplikuesve për statusin e veteranit apo invalidit të UÇK-së është i ekzagjeruar.
Thotë se askush nuk e ka konsultuar apo informuar lidhur me formimin e Tribunalit për krimet e luftës në Kosovë dhe vlerëson se do të ishte rast i pa precedent sikur në Kosovë të bëhej një Tribunal për krimet e luftës, ku do të gjykohej viktima.
“Pra kjo duket si një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit tonë. Tribunali i jep një emër të keq Kosovës”, tha ai.
Mendon se çështja e vendeve të rezervuara është zgjidhur në Vjenë. “Pakicat i kanë pasur dy mandate të rezervuara dhe kjo ç’shthe tashmë është e kryer”.
Ndërsa për shqiptarët që luftojnë në Siri ,thotë se nuk i kontribuojnë vendit tonë. “Pra veprimi tyre nuk përkon as me besimin islam që ndjekim ne”, tha ai, duke apeluar që institucionet dhe shoqëria të merret më seriozisht me këtë çështje. /Telegrafi/
---------------------------------------------------------
Krasniqi: Nisma nuk përjashton koalicionet me asnjë parti
(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se Nisma synon të jetë ndër tri partitë e para në Kosovë. Nuk përjashton koalicionet me asnjë parti.
Krasniqi tha se secili që hyn në politikë garon për të dalë i pari, por është votuesi ai që përcakton se cili do të jetë fati i secilës parti.
Thotë se Nisma nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik për koalicione pas zgjedhore.
Krasniqi mendon se zgjedhjet nacionale do të duhej të mbaheshin në muajin qershor. “Edhe është dita më e gjatë dhe të kryhen zgjedhjet në mesin e vitit. Mendoj se edhe subjekti ynë politik do të jetë i gatshëm, por në këtë rast është me rëndësi të kemi rregullsi të zgjedhjeve”, tha ai.
Lidhur me iniciativën e AAK-së për mocionin e rrëzimit të Qeverisë, kreu i Kuvendit mendon se do të duhej të ketë një konsensus politik lidhur me këtë, por mendon se AAK dhe parti të tjera opozitare në disa raste e kanë ndihmuar jetëgjatësinë e qeverisë, siç është procesi i bisedimeve.
Mendon se nuk do të jetë e lehtë që kushdo që të vijë në pushtet të anulojë apo ndryshojë diccka në marrëveshjet e arritura.
Krasniqi vlerëson se Serbia asnjëherë nuk ka qenë e gatshme të relaksojë marrëdhëniet me Kosovën. Ndërsa, sa i përket ratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend, Krasniqi thotë se këto marrëveshje nuk kanë ndërkombëtare, sepse do të ratifikoheshin.
Thotë se asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut, por mendon se ne nuk kemi qenë sa duhet të përgatitur dhe nuk është dashur të zhvillohen bisedime politike.
Krasniqi thotë se nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit për shkak se nuk ka dashur të shkaktojë krizë institucionale.
“Mbajtja e postit të kryetarit të Kuvendit mua më dëmton në rrugën time politike në partinë e re”, thotë Krasniqi, por thotë se është duke pritur që PDK të iniciojë shkarkimin e tij.
---------------------------------------
Krasniqi: Limaj është takuar me Thaçin, por pa rezultat
Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se nuk kanë insistuar që të askënd ta sjellin në partinë që themeluan ai dhe Fatmir Limaj. Thotë se në ish partinë e tij, PDK, ishte ngulfatur demokracia e brendshme. Ndërsa, pranon se para se të formonin partinë e re, Limaj është takuar me Thaçin, por nuk ka pasur rezultat në kuptimin që Krasniqi dhe Limaj të mbeten në PDK.
Mos bashkimin e disa deputetëve për të cilët flitej se do të braktisnin PDK-në, Krasniqi e shpjegon me faktin se secili ka interesat e tij.
“Secili e ka derën hapur që t’i bashkëngjitet Nismës për Kosovën. Interesimi për anëtarësim është shumë i madh”, tha Krasniqi.
Thotë se gjatë angazhimit të tij politik në PDK ka dhënë maksimumin për të ccuar përpara proceset demokratike dhe debatin brenda partisë.
“Ka ardhur momenti kur debati brenda partisë ka qenë i pamundur”, tha ai, duke potencuar se ka qenë ai që në PDK gjithmonë u ka hapur rrugë të rinjve, kuadrove dhe atyre që kanë pasur vizion.
“Kam qenë për atë që në PDK të vijnë njerëz të rinj, por të respektohet statuti”, tha ai, duke potencuar se në të gjitha partitë është bërë dukuri e shkeljes së normave ligjore dhe statutore.
Krasniqi tha se liderët në partitë politike në Kosovë, janë shumë të fuqishëm dhe janë ata që vendosin për të gjitha në parti.
Thotë se brena një kohe të shkurtër do ta prezantojnë programin e partisë. “Brenda dy-tri javësh do ta kemi të përmbledhur programin e partisë. Por,ekspertët do ta thonë fjalën e tyre. Orientimi i partisë do të jetë qendra e majtë”, tha Krasniqi.
Pranon se Limaj ka pasur takime me drejtuesit e PDK-së, por thotë se kërkesat për kthim në parti më shumë kanë qenë kërkesa mediale.
“Limaj është takuar me Thaçin, por nuk kanë qenë përmbajtësore dhe pa rezultat”, tha Krasniqi se takimet e tij me Thaçin tash më shumë janë zyrtare. /Telegrafi/
----------------------------------------------------------
Krasniqi: Tribunali, një padrejtësi madhe e ndaj kosovarëve
Themelimi i mundshëm i një Tribunali, i cili do të gjykonte krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja gjatë luftës, do të ishte një padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, pasi kjo e fundit ishte vetë viktimë. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në emisionin “Rubikon” të KTV-së.
Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, ka përsëritur se nuk njeh si organizëm luftarak FARK-un, për çka LDK do që të njihet statusi i luftëtarëve të tij.
Krasniqi, i cili përsërit se vazhdon ta mbajë postin e kryetarit të Kuvendit për të vetmen arsye të mos shkaktojë krizë institucionale, pretendon se Nisma e tij e re, pas zgjedhjeve do të dalë në mesin e tri partive të para në vend.
Sa i përket kërkesës së AAK-së për shkarkimin e qeverisë, Krasniqi ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte lidhja e një marrëveshjeje mes partive për datën e zgjedhjeve.
Ai ka folur edhe për vendet e rezervuara për minoritetet dhe dukurinë e shkuarjes së të rinjve kosovarë për të luftuar në Siri. /Telegrafi/

















































