LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi falënderon presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për udhëheqësit e UÇK-së

Krasniqi falënderon presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për udhëheqësit e UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka falënderuar presidentin Bajram Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi pas takimit me Begajn, ka uruar këtë të fundit në zgjedhjen e postit të presidentit.

“Kënaqësi e veçantë të takoj Presidentin e sapo zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës, të cilin e urova për detyrën e re dhe i ofrova mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës, në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu, në këtë takim, Presidentin e urova edhe për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e cila është jo vetëm arritje e madhe për shtetin shqiptar, por edhe një hap i rëndësishëm për tërë rajonin në avancimin e kërkesave dhe të drejtave tona”, shkruan Krasniqi në Facebook.


“Presidentin Begaj e falënderova për angazhimin dhe kontributin e shtetit shqiptar për hartimin e Rezolutës dhe dërgimin e saj në Asamblenë e Këshillit të Evropës që ka për synim vërtetësinë e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundon ai. /Telegrafi/