Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të njëjtën datë me zgjedhjet lokale është e pamundshme, për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.

Krasniqi, tha se nëse kriza politike vazhdon dhe s’ka tejkalim të ngërçit në Kuvend, zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, pavarësisht nëse s’është zgjidhje e partive apo qytetarëve.


Megjithatë, ai shtoi se zgjedhjet e reja parlamentare mund të mbahen para datës së zgjedhjeve lokale. Për të arritur tek kjo pikë, ai tha se nevojitet vullnet politik i partive fillimisht për konstituim të Kuvendit dhe pastaj shpërndarje të tij.

“Mbajtja e zgjedhje të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive dhe qytetarëve mund të bëhet e domosdoshme. Qëndrimi ynë si PDK ka qenë i ditur dhe kam propozuar një hap tutje për propozim të datave dhe tashmë nuk është e mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë. Afatet kushtetuese janë kokëforta dhe ne nuk mundemi ta adaptuar Kushtetutën jashtë afateve. A mundemi me mbajt më herët para zgjedhjeve lokale në kuptimin teorik është e mundshme. Kjo varet nga vullneti i partive politike”, tha ai.

Këto komente Krasniqi i bëri pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Ai tha se për PDK-në të gjitha datat janë të pranishme, por preferojnë që zgjedhjet lokale të mbahen me 12 apo 19 tetor.

Krasniqi tha se në takim nga liderët e partive politike nuk morën pjesë vetëm Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Zlatan Elek nga Lista Serbe.

“Për neve të gjitha datat janë të pranueshme. Preferenca jonë është sa më herët, apo dy datat 12 dhe 19 tetor. S’ka shumë dallime nga partitë e mëdha parlamentare as ato minoritare. Pres në ditët në vijim të dekretohet kjo datë që do të mundësonte afatet të tjera për shpalljen e kandidaturave në komunat ku garojmë...Ajo që dua të theksoj që nuk ishte aspak e mirë është fakti që nga të gjitha partitë e fituara vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Listës Serbe munguan apo bojkotuan këtë takim. Ky takim që mbahet një herë në katër vjet do të duhej të ishte prioritet sikurse për neve në këtë rast. Duket se bojkotimin në takimin e presidentes e bën vetëm Albin Kurti dhe Zlatan Elek. Kjo mungesë la një shije të keqe”, shtoi Krasniqi.

I pyetur për kandidaturat për kryetarë të komunave nga PDK-ja, Krasniqi tha se në masë të madhe dihen kandidatët, por do të respektohen procedurat partiake për shpalljen e tyre.

“Ne pak a shumë i dina se kush janë kandidatët. Tradita në PDK është e tillë që ne respektojmë afate e brendshme statutare. Ne do të kemi shumë shpejt veprime në këtë drejtim. Kemi pritur konsultimet dhe shpalljen e datës dhe pastaj do të kemi një proces të marrjes së kandidaturave të strukturave drejtuese të degëve. Në pajtim me statutin do të jetë kryesia e PDK-së që do t’i miratojë këto kandidatura. Jam i bindur e nuk do t’i lëmë për ditët e fundit, por në raport me shpalljen e datës do të jemi më efikas në kohë dhe vendimmarrje”, përfundoi Krasniqi adresimin e tij para gazetarëve.

Pas konsultave me partitë politike, shpallja e datës së zgjedhjeve lokale tani i mbetet presidentes Osmani./kp/