KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale, me përjashtim të tri komunave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale, për raundin e parë me përjashtim të tri komunave, Prishtinë, Junik dhe Mamushë.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka theksuar se Prishtina, Juniku dhe Mamusha nuk i kanë ende të përfunduara të gjitha procedurat për të ditur rezultatet përfundimtare, si pasojë e disa ankesave që janë ende duke u shqyrtuar në PZAP.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me PZAP-në dhe nga ky institucion kemi marrë konfirmim se nuk ka ankesa aktive lidhur me zgjedhjet për kryetarë komunash për shumicën e komunave, përveç Komunës së Prishtinës, Junikut dhe Mamushës”.
“Këto ankesa janë në trajtim e sipër, andaj KQZ-ja sot do të bëjë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për 35 komunat e tjera, ndërsa për tri komunat e mbetura shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet në vijim, pasi të konsumohen të gjitha mundësitë për paraqitjen e ankesave edhe në Gjykatën Supreme”, ka thënë Radoniqi. Në këto komuna do të shpallet rezultati pas vendimit të Gjykatës Supreme.
LVV-ja pa balotazh ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit.
Pa balotazh, LDK-ja ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.
Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë.
Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.
Në Deçan ka fituar Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në Ferizaj ka fituar Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në Lipjan Imri Ahmeti Lidhja Demokratike e Kosovës.
Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë.
Sami Lushtaku në Skenderaj nga PDK.
Kadri Rahimaj Lëvizja Vetëvendosja në Kamenicë.
Ilir Ferati LDK në Istog.
Në Shtime ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Qemajl Aliu.
Malishevën e ka fituar Ekrem Kastrati i Nismës.
Ramiz Lladrovci Për Drenasin Kampion ka fituar në Drenas dhe Mehmet Ballazi i PDK-së në Hanin e Elezit.
Lista Serbe ka fituar në 9 komuna -Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Graçanicë.
Betejë interesante pritet edhe në Mitrovicën e Jugut ndërmjet Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri PDK. Diferenca mes tyre në garën e raundit të pare ishte vetëm 122 vota.
Garë e ngushtë pritet edhe në Obiliq midis Xhafer Gashit LDK dhe Halil Thaçit Lëvizja Vetëvendosje, ku diferenca nga raundi i parë është vetëm 233 vota.
Kryetari aktual Alban Hyseni nga VV dhe Arbër Ismajli LDK do të përballen në Gjilan. Alban Hyseni më 12 tetor ka rreth 7 mijë vota më shumë.
Gjakova do të vendosë ndërmjet dy kandidatëve me të njëjtën emër – Ardian Gjini AAK dhe Ardian Gola VV. Kandidati i partisë së Ramush Haradinajt në raundin e parë ka mbi 6500 vota epërsi.
Bexhet Xheladini LDK e Shaban Shabani PDK do të garojnë për Dragash. Xheladini në raundin e parë ka mbi 2500 vota më shumë se kundërkandidati i tij.
Shaqir Totaj PDK ka mbi 7 mijë vota epërsi ndaj kundërkandidatit Artan Abrashi nga VV-ja nga raundi i parë në Prizren.
Bali Muharremaj nga AAK në raundin e parë ka më shumë se 4 mijë vota ndaj Ardian Shalës nga LDK-ja para balotazhit në Suharekë.
Vitia është në garë të ngushtë ndërmjet Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit nga VV. Kandidati i LDK-së ka epërsi nga raundi i parë prej vetëm 944 votash.
Ferit Idrizi nga PDK-ja hyn në garë më 9 nëntor për kreun e Vushtrrisë me epërsinë prej më shumë se 4400 votash nga raundi i parë përballë Sylejman Mehollit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Valon Prebreza hyn me rreth dy mijë vota epërsi nga raundi i parë në raport me kandidatin e LDK-së Besnik Osmani për kryetar të Fushë-Kosovës.
Smajl Latifi nga AAK dhe Ali Dula Lëvizja Vetëvendosje garojnë në Rahovec, me epërsinë e kandidatit nga partia e Ramush Haradinajt nga raundi i parë me 2879 vota.
Në Kaçanik gara është midis Sabedin Vishit nga PDK-ja dhe Jeton Rakës nga Lëvizja Vetëvendosje, me epërsi prej rreth 300 votash nga kandidati i partisë së Memli Krasniqi nga raundi i parë më 12 tetor.
Peja vendos për të parin e komunës midis Gazmend Muhaxherit nga LDK-ja dhe Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje. Më 12 tetor, kandidati i partisë së Lumir Abdixhikut ka epërsi prej 7903 votash.
Në Klinë do të vendoset midis Zenun Elezajt nga AAK-ja dhe Sokol Bashtosë nga PDK-ja, me diferencë prej 2454 votash.
Kllokoti do të vendosë ndërmjet dy kandidatëve nga komuniteti serb Bozhidar Dejanoviq – Lista Serbe dhe Sreçko Spasiq – Srpska Narodna Sloga (SNS), me diferencë prej 219 votash nga raundi i parë.

















































