Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve ka filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), menjëherë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime.

Në një konferencë për media, Elezi tha se aktualisht po bëhet krahasimi i të dhënave nga formularët e plotësuar në vendvotime me rezultatet e raportuara, ndërsa të dhënat e verifikuara po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së.


“Do të bëhet verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky aktivitet ka filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa në platformën e KQZ-së ka filluar publikimi i rezultateve pas verifikimit që po bëhet në QKN,” tha Elezi.

Ai bëri të ditur se KQZ ka mundësuar edhe votimin me kusht në 20 vendvotime të tjera, ndërsa numërimi i këtyre fletëvotimeve, si dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) pas disa ditësh.

“Sipas të dhënave preliminare, nga 20 vendvotime me kusht në 18 komuna janë evidentuar 749 zarfe me fletëvotime. Këto zarfe ende nuk janë verifikuar dhe kjo do të ndodh pas disa ditësh,” shtoi ai.

Sa i përket votimit të personave me nevoja të veçanta, Elezi tha se më shumë se 1,440 qytetarë kanë votuar përmes ekipeve mobile të KQZ-së, nga 2,541 sa ishin të regjistruar për këtë kategori.

Në lidhje me votimin me postë, zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur se tërheqja e dërgesave postare nga 22 kuti postare jashtë Kosovës pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.

“Numri i qytetarëve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në këto 18 komuna ishte 29,725. Aktualisht nuk dihet ende sa prej tyre kanë votuar. Kjo do të bëhet e ditur pas tërheqjes së pakove postare dhe procesit të verifikimit,” përfundoi Elezi.

KQZ pritet që në ditët në vijim të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të verifikimeve dhe numërimit të votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. /Telegrafi/