Në një mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), anëtarët kanë ngritur shqetësime rreth numrit të lartë të vëzhguesve që disa organizata joqeveritare kanë paraqitur për akreditim, si dhe për legjitimitetin e vetë organizatave.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, ka shprehur dyshime për organizatën “Fuqia e Zërit”, duke theksuar se nuk ka dëgjuar më parë për këtë organizatë, ndërsa ka vënë në pah numrin e pazakontë të vëzhguesve të kërkuar për akreditim.


"Është një organizatë që s’kam dëgjuar përpara dhe me numër shumë të madh të vëzhguesve ‘Fuqia e zërit’ me 259 vëzhgues. A ka mundësi ndonjë sqarim apo...sepse vërtetë unë asnjëherë s’kam dëgjuar për organizatë joqeveritare. Veç kur më thuhet se më 23 shtator 2025 është regjistruar një OJQ dhe me 1.10.2025 vjen me 259 vëzhgues po dyshoj, shumë po dyshoj”, tha ai.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Arianit Elshani, ka propozuar që akreditimi i organizatave të bëhet individualisht dhe jo në bllok, për të siguruar një vlerësim më të kujdesshëm.

“Unë nuk jam për miratimin e të gjithave dhe rekomandoj që të votohen veç e veç secila org për akreditim dhe të tjerat të rishikohen dhe njëherë nga zyra”, ka thënë Elshani

Edhe Alban Krasniqi ka ndarë të njëjtat shqetësime, duke theksuar rrezikun që mund të paraqesin organizatat e panjohura në procesin zgjedhor.

“Mendoj që nuk është kaq e thjeshtë. Vjen dikush me 200 që këqyrin me vëzhgua. Funksionimi i këtyre organizatave duhet të jetë parakusht. Po këtu kemi organizata krejtësisht të reja, anonime, të panjohura që kanë pru numër të madh të vëzhguesve. OJQ për njohuritë e juaja edhe të zyrës dhe të gjithëve. Është ajo OJQ-ja që ka shku në 2014 dhe kanë envazion në Krime, veç duhet me nënkuptu cka mund të fshihet nën petkun e një OJQ”, u shpreh ai. /Telegrafi/