Kosova U16 e mbyll Kampionatin Mesdhetar me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për vajza deri në 16 vjet e ka përfunduar me fitore paraqitjen në Kampionatin Mesdhetar, duke triumfuar ndaj Maqedonisë së Veriut pas ekzekutimit të penalltive.
Ndeshja për vendin e nëntë, e zhvilluar të shtunën në mesditë, dhuroi emocione të shumta dhe përfundoi me rezultat të barabartë 13:13 në kohën e rregullt.
Vajzat e Kosovës e nisën sfidën në mënyrë mbresëlënëse, duke dominuar në pjesën e parë që e fituan me rezultat 8:4.
Megjithatë, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut reagoi në pjesën e dytë, duke ngushtuar epërsinë gradualisht deri në barazim, çka e çoi takimin në penallti.

Në gjuajtjet nga shtatë metra, hendbollistet tona treguan më shumë qetësi dhe saktësi, duke triumfuar 3:1, për rezultat të përgjithshëm 16:14.
Heroina e ndeshjes ishte portierja Melisa Sefa, e cila priti plot tri penallti, duke vulosur fitoren dhe duke siguruar një mbyllje të suksesshme të kampionatit për Kosovën U16./Telegrafi/





















































