LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Kosova sivjet ka eksportuar rrymë në vlerë 80 milionë euro

Krasniqi: Kosova sivjet ka eksportuar rrymë në vlerë 80 milionë euro

Nagip Krasniqi, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, thotë se Kosova gjatë pranverës dhe verës së këtij viti ka depozituar rreth 130 mijë megavatë rrymë në Shqipëri.

Krasniqi thotë se këtë energji elektrike Shqipëria pritet t’ia kthejë Kosovës gjatë dimrit.


“Marrëveshjen që e kemi diskutuar me ta që gjatë kësaj periudhe që ne kemi teprica, e ata kanë konsum më të lartë për shkak të sezonës turistike edhe periudha kur përdoret shumë klimatizimi apo konsumimi është i lartë. Këtë energji na kthejnë neve gjatë periudhës nga 1 nëntori deri më 31 mars”,  tha Krasniqi për “Kallxo Përnime”.

Përveç se ka depozituar në Shqipëri, Krasniqi tregoi se KEK-u po ashtu ka bërë eksport të rrymës në vlerë 80 milionë euro gjatë këtij viti, në periudhat pas mbulimit të konsumit vendor.

Sipas kryeshefit të KEK-ut po të mos ishte ky eksport, ata nuk do të mund ta shisnin energjinë elektrike në Kosovë për 29.6 euro sa e shesin.

Ky çmim sipas tij ndonjëherë është nën koston e përgjithshme të megavatit.

Krasniqi, thotë se KESCO i ka borxh KEK-ut rreth 51 milionë euro.

“Ne borxhe nuk kemi, kemi borxhe rrjedhëse që janë pjesë normale e natyrës së biznesit. Borxhe na ka KESCO dhe shuma e borxheve për momentin është diku rreth 51 milionë. Çmimi që ne ia shesim KESCO-s është 29.6 euro për megavat”, deklaroi Krasniqi.

Ai tregon se ky borxh i KESCO-s është akumuluar që nga dimri i kaluar.

“Ky borxh është i akumuluar që nga dimri i kaluar. Dikur ka qenë më i lartë, domethënë mos të harrojmë se dikur fatura mujore që KEK-u e faturon KESCO-n është diku rreth, varet nga sezona por diku shkon nga 8 milionë deri në 12 milionë”, shpjegon ai.

Më tej, Krasniqi thotë se nuk po e dërgon KECSO-n në përmbarim sepse siç tha ai “nuk kryen punë”.