LAJMI I FUNDIT:

​Kosova shënon për herë të parë Ditën botërore të inxhinierëve, premtohen kushte më të mira

​Kosova shënon për herë të parë Ditën botërore të inxhinierëve, premtohen kushte më të mira

Kushte më të mira për inxhinierët, marrëveshje të përbashkëta me shtete të rajonit për njohje të licencave, e trajnime vjetore, premton kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca, shkruan KosovaPress.

Në Ditën Botërore të Inxhiniereve e cila shënohet sot edhe në Kosovë, Rapuca thotë se bashkë me anëtarët themelues të odës së inxhiniereve dhe të tjerët, do të bëjnë maksimumin që profili i tyre të vlerësohet në mënyrën më të mirë. Siç thotë ai, kjo ka munguar deri më tani.

Rapuca flet për sfidat që kanë inxhinierët, përfshirë vlerësimin e punës dhe përgjegjësitë e mëdha që mbajnë, siç janë ndërtimet e objekteve të mëdha dhe infrastruktura, raporton KosovaPress.


“Sfidat deri më tani kanë qenë të shumta, një prej tyre është vlerësimi i inxhinierëve qoftë në kryerjen e detyrave, por edhe vlerësimi financiar i tyre. Synojmë që përmes Odës të ngrisim vlerësimin e inxhinierëve, qoftë që ai të marrë atë që i takon për kontributin që bënë, sepse detyrat e inxhinierit janë sfiduese dhe të vështira. Ka edhe përgjegjësi të mëdha, ndërtimet e ndryshme, urat, të gjitha këto janë objekte sfiduese, andaj, inxhinierët mbajnë përgjegjësi, për atë arsye synojmë të rrisim vlerën që inxhinierët të tejkalojnë këtë sfidë. Por, edhe secili inxhinier do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre, përveç kësaj, duhet të respektojë edhe etikën profesionale, rregulloren, standardet, në mënyrë që ato mos të cenohen, nëse ato cenohen edhe prej inxhinierëve, do të merren masa ndaj tyre siç e përcakton statusi i Odës së Inxhinierëve”, thotë Rapuca, raporton KosovaPress.

Oda e Inxhinierëve të Kosovës është themeluar në fund të vitit të kaluar dhe marrë parasysh se deri më tash mungonte një odë e tillë, Rapuca zotohet se viteve të tjera 4 marsi, do të shënohet me konferenca të ndryshme e bashkëpunime rajonale edhe me shtetet tjera.

Sipas tij, kjo ditë do të bëhet tradicionale. Derisa flet për sfidat e inxhiniereve, ai thotë se tashmë oda rregullon edhe çështjen e licencimit.

“Dita e inxhiniereve festohet me 4 mars, në nivel botëror. Në vitin 2019, Konventa e 40 e UNESCO-s e ka shpallur 4 marsin si Ditë e inxhiniereve dhe kështu për herë të parë do të festohet edhe tek ne nesër. Pasi deri më tani shteti ynë nuk e ka pasur një Odë të inxhiniereve, ajo është themeluar rreth 2 muaj më parë, dhe tani sipas statusit është e specifikuar që kjo ditë të festohet. Është një gjendje e rëndësishme për të përkujtuar të gjitha kontributet dhe sfidat që kanë inxhinierët në shoqëri, për të takuar kolegët, duke lidhur marrëdhënie bashkëpunuese me të. Pasi hera e parë, nuk kemi diçka të veçantë ndonjë konferencë që do të mbajmë, për arsyee të kohës së shkurt nga themelimi, por viteve tjera do të organizojmë edhe konferenca të ndryshme, bashkëpunime rajonale, bashkëpunime me shtetet tjera. Kështu, do të bëhet një festë tradite që do të festohet çdo vit”, thotë Rapuca.

Derisa jep më shumë detaje edhe për themelimin e Odës, thotë se në të kanë marrë pjesë 911 inxhinierë të profileve të ndryshme.

“Ka inxhinierë të interesuar për të marrë pjesë në këtë festë. Gjithashtu odën e kanë themeluar 911 anëtarë themelues, të gjithë janë inxhinierë të profileve të ndryshme, kryesisht të fushës së ndërtimit, fakultetit të elektrikes dhe ata të makinerisë. Ndërsa, inxhinierë të tjerë ka të shumtë të cilët presin të licencohen dhe anëtarësohen në odë”, thotë ai, KosovaPress.

Një tjetër qëllim i Odës është krijimi i marrëveshjeve me shtetet e rajonit për njohjen reciproke të licencave, duke mundësuar kështu që inxhinierët kosovarë të mund të ushtrojnë profesionin edhe në shtetet e tjera të rajonit, dhe anasjelltas.

“Është krijuar oda e inxhinierëve për të mbrojtur profesionin e inxhinierit, por jo vetëm, edhe të kërkojë përgjegjësi ndaj tij. Inxhinieri të respektojë etikën profesionale. Do të mbajmë trajnime vjetore që janë obligim i Odës, në mënyrë që inxhinierët çdo ditë të edukohen vazhdimisht me standarde të reja, rregullore e çdo gjë të re, thjesht duke e ruajtur trendin e zhvillimit global. Oda është shumë e rëndësishme, sepse do të mbështesë institucionet shtetërore, në këtë rast Qeverinë dhe Kuvendin në ligjet të cilat thjesht do të preken në sektorin e dertimit. Gjithashtu do të mbështesë rregullore tjera. Oda po ashtu rregullon edhe çështjen e licencimit, kjo është shumë e rëndësishme. Deri në themelimin e odës, inxhinierët nuk kanë pasur licenca. Synojmë që përmes Odës të bëjmë marrëveshje të përbashkëta me shtetet e rajonit, në mënyrë që të kemi një njohje reciproke të licensave, që inxhinierët tanë të mund të ushtrojnë funksionin në shtetet e rajonit, por edhe inxhinierët e rajonit të mund të ushtrojnë profesionin në shtetin tonë”, nënvizon Rapuca.

Dita e inxhinierit do të shënohet edhe në Kosovë, në hollin e fakultetit teknik të Universitetit të Prishtinës nga ora 19:00, raporton KosovaPress.

Kjo ditë është e përcaktuar me Konventën e 40-të të UNESCO-s e cila në vitin 2019 e ka shpallur 4 marsin si Ditë të inxhinierëve. /KP/