LAJMI I FUNDIT:

Kosova ende me barriera për të bërë biznes

Kosova ende me barriera për të bërë biznes

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me qëllim avancimin e partneritetit publiko-privat, pas realizimit të studimit mbi identifikimin e fyteve të ngushta dhe ambientit të të bërit biznes në Kosovë, organizon sot konferencë me temën: Dialogu dhe ambienti i të bërit biznes-politikat fiskale”.

Qëllimi kryesor i kësaj konference është që të diskutohet me komunitetin e biznesit mbi sfidat dhe mundësitë që kanë në rritje dhe zhvillim të tyre, duke synuar përmes kësaj rritjen e aftësive konkurruese të ndërmarrjeve tona dhe ndjekja e trendit të vendeve të rajonit, me synim rritjen e vëllimit të eksportit.

Ndërmarrësia kosovare në dekadën e parë të pavarësisë është përballur me sfida të mëdha, megjithatë mungesa e furnizimit të rregullt dhe stabil me energji elektrike, pasuar nga kostoja e lartë e energjisë elektrike dhe konkurrenca jo lojale nga ekonomia e hirtë po qëndrojnë në top tre barrierat e të bërit biznes në vendin tonë për vite me radhë.

Konferenca ku prezantohen rezultatet e fyteve të ngushta në këto katër vitet e fundit është bërë mbledhja më e rëndësishme vjetore në sferën e ekonomisë në Kosovë, si për ekspertët dhe institucionet që promovojnë ambientin e të bërit biznes në vendin tonë, po ashtu edhe për bizneset të cilat janë edhe shtylla e ekonomisë së vendit tonë.

OEK përmes këtij diskutimi synon të nxisë shkëmbimin e ideve dhe përvojave midis palëve të interesit, respektivisht mes trekëndëshit Qeveri – Komunitet i biznesit – OEK.

OEK-u sipas mandatit të dhënë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes ligjit mbi OEK-un do të vazhdojë të ndihmojë në forcimin e rrjeteve ndërmjet të sektorit privat dhe atij publik në dobi të një vendi më të mirë për të gjithë dhe një ekonomie më të zhvilluar.

Konferencës me komunitetin e biznesit do t’i bashkëngjitet Ministri i Financave, Bedri Hamza. /Telegrafi/