Me qëllim të promovimit të Kosovës si destinacion investimesh, në Prishtinë po organizohet "Dita e Biznesit Francez në Kosovë" nga Këshilli i Investitorëve Evropian, raporton KosovaPress.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova është e hapur për investime serioze, teksa shtoi se kanë interes që me Francën të shtojnë bashkëpunimin.


“Dhe nëse ka një fjalë që duhet të përkufizojë bashkëpunimin tonë sot, ajo është besimi. Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri. Kur rregullat janë të qarta dhe zbatohen me drejtësi, kompanitë e mira sigurt rriten, investitorët planifikojnë afatgjatë dhe shoqëritë fitojnë besim në të ardhmen.

Sot dua të ndaj me ju tri mesazhe. Së pari, Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Së dyti, Kosova është e hapur për investime serioze. Dhe së treti, Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, me rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve. Meqenëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, tha ai.

Tutje, ai theksoi se kompanitë franceze vlerësohen kudo në botë. Kurti shtoi se infrastruktura është besim dhe se i tregon çdo investitori se vendi po ndërton për sukses.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se Kosova po transformohet e modernizohet.

"Duke parë këtë sallë shumë të mbushur, ndoshta do të duhej t’i shtynim muret, ndoshta do të duhej të kishim paraparë më shumë karrige; mirëpo dy konstatime imponohen shumë qartë: së pari, marrja e këtij rreziku ishte një zgjedhje e mirë, dhe së dyti, Kosova është një vend tërheqës për kompanitë franceze. Dhe këtyre kompanive franceze të pranishme sot, e veçanërisht atyre që po e zbulojnë Kosovën, dua t’u them disa gjëra thjesht: faleminderit, faleminderit që po bëni bastin e zbulimit, sepse ka shumë gjëra për t’u zbuluar në këtë vend të bukur.

Shumë energji, shumë rini, shumë dëshirë për të ndërmarrë. Dhe ata e ato që patën mundësinë dje ose këtë mëngjes të shëtisin nëpër Prishtinë, mund ta shohin këtë me sytë e tyre. Vendi po transformohet, po zhvillohet, po ndërtohet, po modernizohet, po investon. Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën — e cila është padyshim e dukshme mes nesh — dhe në lidhje kulturore.”

Tutje, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani tha se synojnë promovimin e investimeve dhe mundësive.

“Kjo nismë u nis në korrik të vitit të kaluar, pas një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës përgatitor. Gjatë kësaj periudhe, u angazhuam në konsultime me institucionet përkatëse franceze, si dhe me Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësues të sektorit privat, me qëllim që kjo platformë të pasqyrojë prioritetet e përbashkëta, nevojat reale të tregut dhe interesat strategjike afatgjata. Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.

"Dita e Biznesit Francez në Kosovë" nga Këshilli i Investitorëve Evropian, po shënohet sot përmes një konference që po mbahet në Prishtinë, në hotel Emerald. /KP/