LAJMI I FUNDIT:

“Kosova duhet të rishikojë decentralizimin”

“Kosova duhet të rishikojë decentralizimin”

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër të Anglisë, të mërkurën dhe të enjten kanë zhvilluar një seri vizitash në institucionet qendrore e lokale në Kosovë e Maqedoni, për t’u njohur me sukseset dhe sfidat e qeverisjes lokale.

Përfaqësues nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ishte Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i KLGI-së. Ndërkaq, përfaqësuesit nga LGiU ishin Jonathan Carr-West, drejtor ekzekutiv i institutit dhe Andy Johnston, shef i operacioneve.


Sot ata vizituan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ku u takuan me Rozafa Ukimeraj, u.d. e sekretares së përgjithshme. Ukimeraj tha se duhet të bëhen reforma territoriale, siç është duke u punuar edhe me ligjin e Prishtinës.

Po ashtu, ata janë pritur nga kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se kryetarët e komunave janë të fuqishëm dhe kanë se autoritet si individë, mirëpo qeveritë në nivelin lokal në Kosovë nuk janë të fuqishme në aspektin e pavarësisë nga niveli qendror. Ai tha se sfida kryesore në kryeqytet tani është Ligji për Prishtinën.

Takimet vazhduan edhe me kryetarët Gjilanit dhe Kamenicës ku u diskutuan reformat e qeverisjes lokale, legjislatura, transformimi publik dhe decentralizimi.

Në këto takime u tha se Kosova duhet të rishikojë decentralizimin.

KLGI dhe LGiU, të enjten nënshkruan memorandum bashkëpunimi për partneritet strategjik. Qëllimi i memorandumit është që Institutet KLGI dhe LGiU në të ardhmen të vazhdojnë dhe thellojnë bashkëpunimin për të përmirësuar qeverisjen dhe fuqizimin e nivelit lokal. /Telegrafi/