Në takimin vjetor të Akreditimit, në nivel ndërkombëtar, që po mbahet gjatë kësaj jave në Bangkok të Tajlandës, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit e Kosovës (DAK) anëtarësohet në cilësinë e anëtarit të asociuar në organizatën ndërkombëtare të akreditimit “Global Accreditation Cooperation Incorporated - Bashkëpunimi i Integruar Ndërkombëtar i Akreditimit”.

Në njoftim thuhet se ‘Global Accreditation Cooperation Incorporated’ e themeluar vitin e kaluar, do të jetë organizata e vetme për akreditim në nivel ndërkombëtar.


Tutje në njoftimin e Ministrisë së Industrisë thuhet se anëtarësimi në këtë organizatë ofron disa përfitime, si: qasje dhe mundësi për të dhënë kontribut në zhvillimin e politikave globale të akreditimit dhe kërkesave teknike; zhvillimi i sistemit kombëtar të akreditimit për të arritur statusin e marrëveshjes multilaterale të njohjes në nivel ndërkombëtar; ndërtimi i marrëdhënieve me organizatat e akreditimit të shteteve të tjera të njohura në nivel ndërkombëtar dhe aktorët kyç në vlerësimin e përputhshmërisë; mësim nga përvojat e zbatimit të nënshkruesve të marrëveshjeve të njohjes së akreditimit.

Po ashtu thuhet në kuadër të kësaj organizate mundësohet qasja në programe të trajnimit, punëtori dhe webinare, të dizajnuara për të forcuar sistemet e akreditimit.

“Përfitimet e mundshme nga anëtarësimi në këtë organizatë janë: fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe kredibilitetit, që tregon përkushtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit ndaj standardeve dhe njohjes ndërkombëtare; Krijimi i lidhjeve globale, duke u rrjetëzuar me organizatat e akreditimit dhe aktorët e njohur në nivel ndërkombëtar; njohuri nga praktikat tjera, që kanë qasje në praktikat më të mira dhe njohuritë për politika dhe ekspertizën teknike nga nënshkruesit e marrëveshjeve për njohje të akreditimit (MRA) në mbarë botën; përgatitje për marrëveshjen e njohjes, që do të thotë mësimi i proceseve dhe pritshmëritë dhe kërkesat për të arritur statusin e nënshkruesit të Marrëveshjes së Njohjes së Akreditimit në nivel ndërkombëtar, ndërtim kapacitetesh, që nënkupton përfitim nga trajnimet teknike dhe punëtoritë, ngjarjet ndërkombëtare të akreditimit dhe mundësitë e mentorimit bilateral; krijimi i mundësive të bashkëpunimi, duke bashkëpunuar me organizata homologe të Akreditimit në projekte të përbashkëta dhe shkëmbime teknike”, thuhet në njoftim.

MINT thekson se ky proces është i rëndësisë së veçantë për ekonominë vendore, duke e ditur faktin se akreditimi është katalizatori i qëndrueshmërisë, ku mund të quhet pasaporta e produkteve dhe shërbimeve në proces të eksportit në tregjet ndërkombëtare.

‘Roli në tregun vendor është se akreditimi e vërteton cilësinë në procesin e prodhimit dhe shërbimeve, si dhe sigurinë për konsumatorët. Këtë e arrin duke e konfirmuar zbatimin e standardeve relevante ndërkombëtare në këto procese nga operatorët”, bën të ditur Ministria.

Tutje, bëhet e ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës (DAK), në këto takime është duke u përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Irfan Lipovica. /Telegrafi/