Kontratat e reja me dy futbollistë, Arsenali do të thyej rekordin për shpenzimet e pagave

Arsenali është shumë pranë nënshkrimit të kontratave të reja me Bukayo Saka dhe Jurrien Timber, marrëveshje që mund ta çojnë totalin e pagave të klubit mbi 400 milionë funte për herë të parë në historinë e tij.
Drejtori sportiv Andrea Berta po udhëheq një proces të gjerë riorganizimi të skuadrës pas një vere mjaft aktive në tregun e transferimeve.
Gjatë afatit të fundit kalimtar, “Topçinjtë” shpenzuan 250 milionë funte për të sjellë tetë lojtarë të rinj, ndërkohë që rinovuan kontratat e Gabriel Magalhaes, William Saliba, Ethan Nwaneri dhe Myles Lewis-Skelly.
Sipas ekspertëve të financave, shpenzimet për paga në sezonin e kaluar kanë arritur në rreth 350 milionë funte , ndërsa marrëveshjet e reja pritet ta vendosin Arsenalin në mesin e klubeve me shpenzimet më të larta të Ligës Premier.

Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave, ekipi i Mikel Artetës ende ruan një nga raportet më të ulëta të pagave ndaj numrit të humbjeve, duke treguar efikasitet në menaxhimin e skuadrës.
Por, rregulli i UEFA-s mbi raportin e kostove të skuadrës mund të kufizojë fleksibilitetin financiar të klubit në të ardhmen. Raportimet nga Anglia bëjnë të ditur se Arsenali po i afrohet pragut prej 70% të shpenzimeve të lejuara sipas rregulloreve evropiane.
Me asnjë lojtar që nuk i skadon kontrata para vitit 2026 dhe me paga të larta tashmë të garantuara, Arsenali mund të ketë një afat kalimtar veror më të qetë në vitin e ardhshëm, përveç nëse ndodhin ndryshime të mëdha në përbërjen e skuadrës. /Telegrafi/

































