Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, kanë zhvilluar një kontroll të papritur në një biznes që merrej me shitjen e pajisjeve telefonike në Prishtinë.

Gjatë aksionit janë gjetur dhe konfiskuar 120 telefona celularë të markave iPhone dhe Samsung, 5 ora të mençura Apple, si dhe disa kufje origjinale Apple.


Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e mallit të konfiskuar arrin rreth 60 mijë euro.

Ky operacion, sipas njoftimit, është pjesë e angazhimeve të përbashkëta të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në luftimin e kontrabandës dhe krimit ekonomik, me synim mbrojtjen e tregut të brendshëm, interesit fiskal të shtetit dhe konkurrencës së ndershme.