LAJMI I FUNDIT:

Konfiskimet favorizuan ndërtuesit në Shqipëri, i blenë katet pa leje 10 herë më lirë se çmimet e tregut

Konfiskimet favorizuan ndërtuesit në Shqipëri, i blenë katet pa leje 10 herë më lirë se çmimet e tregut

Vendimi për konfiskimin e objekteve pa leje nuk i ka ndëshkuar ndërtuesit, por i ka favorizuar ata. Të dhënat tregojnë se këta të fundit kanë paguar për to 220 euro/m2, ndërsa me çmimet e tregut në Tiranë duhet të paguanin deri në 10 herë më shtrenjtë.

Ministria e Financave i shiti pallatet e konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit në kryeqytet 10 herë më lirë se çmimi i tregut.

Një investigim i rrjetit BIRN, zbulon se raportet e vlerësimit në 9 godinat ku ndërtuesit kanë abuzuar me lejet, flasin për shitje të tyre me çmim disa herë më të ulët se çmimi që ofron zona, si dhe procedura që nuk përkojnë me vendimin që miratoi qeveria vitin e kaluar


Nga këto ndërtime, 6 kanë shkelur lejen e ndërtimit me mbi 10% të sipërfaqes dhe janë konfiskuar plotësisht, ndërsa një kompani e ka shkelur lejen e ndërtimit me 6% dhe është konfiskuar vetëm shtesa.

Bazuar në këto raporte vlerësimi, çmimi mesatar që detyrohen të paguajnë kompanitë e kapura në shkelje të lejes së ndërtimit në Tiranë është 223 euro për m2.

Çmimi më i lartë prej 305,3 euro metri katror i përket godinës së ndërtuar në rrugën Kont Urani, rreth 500 metra nga sheshi Skënderbej, ndërsa vlera më e ulët, 170 euro metri katror, është për godinën e ndërtuar pranë Kopshtit Zoologjik. Në total kompanitë duhet të paguajnë rreth 15 milionë euro për 71 mijë m2 pa leje.

I vetmi raport vlerësim që i referohet një metode të ndryshme nga ajo e kostos për një objekt në Qerret të Kavajës, e nxori vlerën e objektit me 464 euro metri katror, disa herë më të lartë se objektet e vlerësuara në kryeqytet. /Telegrafi/