LAJMI I FUNDIT:

​Komunat akuzojnë Qeverinë se po tenton t’ua marrë një kompetencë

​Komunat akuzojnë Qeverinë se po tenton t’ua marrë një kompetencë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar ligjin e ri për kadastër, kompetencë kjo që ka qenë e deleguar te komunat që tashmë është centralizuar.

E për këtë, këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit ka rekomanduar kryetarët e komunave që mos të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të mirëkuptimit me nivelin qendror sa i përket marrjes së kësaj kompetence derisa nuk amandamentohet ligji për financa lokale.


Kështu bënë të ditur drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili thotë se është një tendencë për marrjen e kompetencave të nivelit lokal dhe bartja e tyre në nivel qendror.

Sfidë tjetër për komunat mbetet procesi i rekrutimit të mësimdhënësve, si dhe në disa raste anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të ndryshme të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal.

Ibrahimi në një intervistë për KosovaPress, derisa shprehet i pakënaqur me nivelin qendror lidhur me ligjin e ri për kadastër, pasi thotë se kjo kompetencë nuk mund të merret njëherë derisa të amandamentohet ligji për financa lokale.

“Me ligjin e ri për kadastër, niveli qendror, kompetencën e cila ka qenë e deleguar te komunat e ka marrë, d.m.th kjo kompetencë tash me ligjin e ri për kadastër, është centralizuar. Neve si asociacion në grupin punues qeveritar, në hartimin e këtij ligji, e kemi kundërshtuar marrjen e kompetencës e cila ka qenë e deleguar në nivelin lokal. Argumentet tona kryesore kanë qenë që edhe në Republikën e Kosovës duhet ta marrin parasysh ofrimin e vendimmarrjes sa më afër qytetarëve. Argumentet e fundit shihet se është një tendencë e centralizimit të kompetencave nga niveli qendror, d.m.th marrja e kompetencave të nivelit lokal dhe bartja e tyre në nivel qendror, dhe një ndër ta është edhe çështja e kadastrit.

Mirëpo, në takimin e Këshillit të kryetarëve i mbajtur para disa ditëve dhe në bazë të rekomandimeve të kolegjiumeve tona profesionale del se kjo kompetencë nuk mund të merret njëherë derisa të amandamentohet ligji për financa lokale. Mirëpo në takimin e përbashkët të kryetarëve të komunave, të asociacionit dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës është diskutuar për një mundësi që kjo kompetencë të bartet nga niveli lokal në nivelin qendror përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit.

Dhe në takimin e fundit të këshillit të kryetarëve në kuadër të Asociacionit, kryetarët e komunave kanë thënë se kjo kompetencë mund të bartet nga niveli lokal në qendror vetëm pas amandamentitimit të ligjit për financat lokale, ashtu siç është e shkruar në ligjin për kadastër. Pra, këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit i ka rekomanduar kryetarët e komunave që mos të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të mirëkuptimit me nivelin qendror sa i përket marrjes së kësaj kompetence derisa nuk amandamentohet ligji për financa lokale”, thekson Ibrahimi.

Ai ka ritheksuar se asociacioni dhe kryetarët e komunave që disa kohë kanë kërkuar që ligji për financa lokale të amandamentohet, pasi me këtë ligj do të zgjidhen shumë probleme.

“Asociacioni dhe kryetarët e komunave që disa kohë kanë kërkuar që ligji për financa lokale të amandamentohet, sepse do të bëjë zgjidhjen e shumë problemeve sa i përket çështjes së zjarrfikëseve, tash është problemi sa i përket kadastrit dhe kryetarët e komunave janë dakorduar që në të ardhmen derisa të mos amandamentohet ligji për financa lokale të mos nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit me Agjencinë Kadastrale të Kosovës”, thotë Ibrahimi.

Ndërsa, brengë tjetër e adresuar nga kryetarët e komunave është anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të ndryshme të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal në përurimin e projekteve të ndryshme, apo vizitave që po bëhen në terren.

“Në takimet dhe kontaktet që i kemi me komunat e Kosovës ka probleme të shumta si në fushën e arsimit, shëndetësisë, gjithashtu edhe zbatimit të ligjit për partneritet publiko-privat, i cili është në amandamentim e sipër, por njëkohësisht është edhe çështja e financave lokale. Një ndër problemet tash rishtazi që është diskutuar në kontaktet me kryetarët e komunave, është në disa raste anashkalimi i kryetarëve të komunave gjatë vizitave të nivelit qendror që po bëhen në nivelin lokal në përurimin e projekteve të ndryshme, apo vizitave që po bëhen në terren.

Nuk është praktikë e mirë që gjatë vizitave të nivelit qendror në nivelin lokal të mos njoftohen fare kryetarët e komunave për këto vizita, sepse po ka përurim të projekteve apo objekteve tjera nga niveli qendror dhe kryetarët e komunave kanë vullnet pozitiv që vizitat që organizohen nga niveli qendror ato edhe mirëpriten dhe ka vullnet shumë pozitiv që kryetarët e komunave të takohen me nivelin qendror, sepse janë raste të mira të diskutohen problemet, sfidat që kanë komunat në zbatimin e projekteve dhe bashkëpunimin me nivelin qendror”, thotë Ibrahimi.

Derisa ka renditur sfidat që po ballafaqohen komunat, Ibrahimi nënvizon se procesi i rekrutimit është shumë i vështirë dhe po merr me muaj të tërë. Për këtë, ai kërkon zgjedhje urgjente nga niveli qendror.

“Procesi i rekrutimit po është shumë i vështirë dhe po merr me muaj të tërë. Gjithashtu procesi i zëvendësimit të mësimdhënësve të cilat marrin pushimin e lehonisë, dhe në këtë takim janë diskutuar mënyrat si të zgjidhet ky problem. Nga niveli qendror përgjigja ka qenë që ka probleme sa i përket këtij procesi mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Administratës Publike dhe Punëve të Brendshme, ku ata duhet të koordinohen në mënyrë që komunat të mos kenë këtë sfidë.

Gjithashtu, është problemi edhe sa i përket pagesave të mësimdhënësve të cilët zëvendësojnë mësimdhënësit të cilët lëngojnë nga sëmundjet e ndryshme apo në pushim të lehonisë, sepse nuk mund të futën në listën e pagave. Pra, ata nuk mund të marrin paga dhe është problem kryesor që po ballafaqohen komunat, për këtë arsyeje nxënësit janë duke humbur orë mësimore për shkak të këtyre problemeve dhe kanë kërkuar zgjedhje urgjente nga niveli qendror”, përfundon Ibrahim. /KP/