Komuna e Rahovecit siguron 1.5 milion euro nga MMPHI për projekte të rëndësishme infrastrukturore

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në bashkëpunim me zëvendësministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, kanë nënshkruar një memorandum të ri bashkëpunimi që sjellin investime të reja infrastrukturore në vlerë prej mbi 1.5 milion euro në komunën e Rahovecit.
Ky bashkëpunim konkretizon përkushtimin institucional për zhvillim dhe përmirësim të infrastrukturës rrugore në zonat rurale dhe urbane, përmes bashkëfinancimit të dy projekteve kyçe:
- Rregullimi i rrugës Sapniq - Nashpall, me një investim prej 894,888.00 €;
- Ndërtimi i rrugës Fortesë - Celinë, në vlerë prej 650,000.00 €.
Këto projekte pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe zhvillimin ekonomik të zonave përkatëse.
Kryetari Latifi falënderoi MMPHI-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se këto investime janë dëshmi e angazhimit të përbashkët për përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Rahovecit.












































