Komuna e Podujevës ka bërë publike listën përfundimtare të 29 përfituesve të projektit “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve”, i cili zbatohet nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik.

Përfituesit janë përzgjedhur pas vlerësimit të aplikimeve, me qëllim të fuqizimit të bizneseve lokale dhe rritjes së kapaciteteve të tyre prodhuese.


Lista përfshin biznese dhe individë nga Podujeva dhe fshatrat përreth, të cilët do të pajisen me makineri profesionale dhe pajisje të ndryshme, varësisht nga nevojat e tyre operacionale. Ndër pajisjet e ndara janë makina qepëse industriale, mikserë për brumë, makineri për shtypjen e nxehët, pajisje për industrinë ushqimore, frigoriferë profesionalë, si dhe ngritës për autoservis.

Përfituesja me më së shumti pikë është Filloreta Maçani Lalloshi nga Podujeva, e cila ka siguruar 92 pikë dhe ka fituar një makinë qepëse industriale overlluk. Përfitues të tjerë janë biznese të vogla familjare, punishte artizanale, prodhues lokalë dhe ofrues të shërbimeve teknike.

Pajisjet e akorduara synojnë t’i ndihmojnë bizneset e vogla dhe të mesme që të rrisin prodhimin, cilësinë e shërbimeve dhe të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik në komunë.

Komuna e Podujevës ka njoftuar se projekti është pjesë e planit të mbështetjes së ndërmarrësisë lokale dhe do të vazhdojë me thirrje të reja edhe në vitet e ardhshme. /Telegrafi/