Komuna e Obiliqit me aplikacion zyrtar, qytetarët do të raportojnë problemet me një klikim

Kryetari i Komunës së Obiliqit Halil Thaçi ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për zhvillimin e aplikacionit zyrtar të komunës, një projekt që synon të afrojë shërbimet komunale me qytetarët dhe të rrisë efikasitetin e administratës lokale.
Sipas njoftimit, aplikacioni do të jetë së shpejti i qasshëm për të gjithë qytetarët dhe do të mundësojë marrjen e njoftimeve në kohë reale, raportimin e problemeve që lidhen me furnizimin me ujë, mbeturinat, infrastrukturën, shkollat dhe çështje të tjera me interes publik.
Po ashtu, përmes këtij aplikacioni qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë shërbime komunale, të informohen për aktivitetet dhe vendimet e komunës, si dhe të komunikojnë më lehtë me institucionet lokale.
Një nga veçoritë e aplikacionit do të jetë edhe ofrimi i përfitimeve për qytetarët që raportojnë hedhjen e mbeturinave në vende të papërshtatshme, me synim nxitjen e mbrojtjes së mjedisit dhe krijimin e një Obiliqi më të pastër dhe më të gjelbër.
Sipas kryetarit, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e dixhitalizimit të shërbimeve publike, duke synuar ndërtimin e një administrate më efikase, më transparente dhe më pranë nevojave të qytetarëve. /Telegrafi/






































