Komuna e Kamenicës shpall konkurs për ndarjen e bursave për studentët për vitin akademik 2025–2026

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave për studentët e komunës për vitin akademik 2025–2026.
Sipas njoftimit zyrtar, përfitues të bursave mund të jenë studentët e rregullt të regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, si dhe studentët e rregullt të universiteteve publike të Republikës së Kosovës, duke përjashtuar ata që ndjekin studime pasuniversitare (master apo doktoratë), raporton Telegrafi.
Ndër kriteret kryesore për përfitim përfshihen:
- Të jenë studentë të vitit të dytë ose më lart;
- Të mos jenë përsëritës të vitit akademik;
- Të jenë banorë të Komunës së Kamenicës.
Pikë të veçanta do të vlerësohen për notën mesatare, statusin social, kategoritë e veçanta si studentët pa prindër, me nevoja të veçanta, apo pjesëtarë të familjeve të dala nga lufta.
Dokumentet e nevojshme për aplikim duhet të dorëzohen në Qendrën e Shërbimit për Qytetarë në objektin e komunës, brenda 15 ditëve nga data e publikimit të konkursit.
Formularët e aplikimit dhe detajet e plota mbi kriteret janë të publikuara në faqen zyrtare të komunës: http://kk.rks-gov.net/kamenice.
Komuna ka bërë të ditur se përfitimi i bursave do të varet nga buxheti i Drejtorisë së Arsimit dhe numri i aplikimeve të pranueshme. /Telegrafi/

















































