Komuna e Kaçanikut shqipton gjobë prej 500 euro ndaj një personi për hedhje ilegale të mbeturinave


Komuna e Kaçanikut ka shqiptuar një gjobë prej 500 euro ndaj një personi i cili është identifikuar duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit të Komunës, kundërvajtësi është identifikuar përmes kamerave të sigurisë të vendosura në lokacionet ku më herët janë larguar deponi ilegale të mbeturinave.
Komuna ka bërë të ditur se monitorimi përmes kamerave do të vazhdojë, ndërsa ka paralajmëruar se çdo person që ndot mjedisin duke hedhur mbeturina në vende të palejuara do të identifikohet dhe do të përballet me masat ndëshkuese të parapara me ligj.
“Komuna njofton të gjithë qytetarët se në këto lokacione janë vendosur kamera monitoruese dhe çdo person që ndot mjedisin duke hedhur mbeturina në vende të palejuara do të identifikohet dhe do të përballet me masat ndëshkuese të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.
Po ashtu, Komuna ka njoftuar qytetarët se ka caktuar Zonën Kadastrale Runjevë si hapësirë për hedhjen e mbeturinave inerte dhe vëllimore, përfshirë mbeturinat ndërtimore, mobiliet dhe inventarin e shtëpisë.
Autoritetet komunale kanë bërë apel që qytetarët të përdorin lokacionet e përcaktuara për menaxhimin e mbeturinave dhe të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit. /Telegrafi/


































