Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë subvencionimin e qirasë për familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen për aplikim, e cila do të jetë e hapur deri më 30 janar 2026. Të drejtë aplikimi kanë vetëm familjet rezidente në Komunën e Gjilanit që plotësojnë kriteret e nevojës ekonomike.


Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se subvencionimi i qirasë është njëra prej politikave që vazhdohet edhe në mandatin e dytë.

“Njëra prej politikave të cilat i kemi ndjekur gjatë mandatit të parë, po e vazhdojmë edhe në mandatin e dytë. 163 mijë euro i kemi financuar në mandatin e parë dhe këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe gjatë këtij mandati”, deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se tash është mundësia për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për banim të aplikojnë dhe bëri thirrje që të mos vonohen, duke vënë në dukje se afati i aplikimit po afrohet.

Për më shumë detaje rreth procedurës së aplikimit dhe kriteret e pranueshmërisë, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/