Komuna e Fushë Kosovës vazhdon me lirimin e hapësirave publike

Drejtoria për Inspektorat e Komunës së Fushë Kosovës ka realizuar sot inspektime në disa zona të qytetit, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe rregullimin e rendit në trotuare dhe sipërfaqe të përbashkëta.
Gjatë këtyre inspektimeve janë evidentuar raste të bllokimit të hapësirave publike, si dhe shfrytëzime të paautorizuara në zona publike. Në disa raste është kërkuar largimi i menjëhershëm i pengesave, janë dhënë paralajmërime në vend dhe janë iniciuar procedura për trajtim administrativ, në përputhje me kompetencat ligjore të Inspektoratit.
Drejtori për Inspektorat në Komunën e Fushë Kosovës, Durim Hajra, ka bërë thirrje për përgjegjësi qytetare dhe institucionale.
“I ftojmë të gjitha bizneset dhe qytetarët që të mos i zënë hapësirat publike dhe të mos pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve, qasjen për persona me aftësi të kufizuara, si dhe sigurinë e përgjithshme në qytet. Inspektimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe në rast të mosrespektimit do të merren masa shtesë, përfshirë gjoba dhe largim të detyrueshëm të pengesave, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar qytetarët dhe bizneset për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar gjatë këtij aksioni.
Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve për një ambient më të rregullt, të sigurt dhe një cilësi më të mirë jete për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/



















































