Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Thirrja Publike për Skemën e Granteve për Energji të Pastër është e hapur dhe do të vazhdojë deri më 31 janar 2026.

Sipas udhëzimeve të Ministrisë, aplikuesit mund të kërkojnë subvencion për sisteme baterish për ruajtjen e energjisë elektrike, përfshirë edhe ata që tashmë posedojnë sisteme solare fotovoltaike ekzistuese, si pasues të njëhsorit apo si prosumatorë.


Subvencionimi përcaktohet sipas kapacitetit të instaluar të baterive dhe konfigurimit teknik të dorëzuar në aplikim, pa kufizim të drejtpërdrejtë të kapacitetit (kWh), por brenda vlerës maksimale të mbështetjes financiare të përcaktuar në thirrje.

Për të ndihmuar aplikuesit, Ministria e Ekonomisë ka përgatitur dokumentin “Përgjigje për pyetjet më të shpeshta në lidhje me grant skemën për energji të pastër”, i cili përmban sqarime të detajuara mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit.

Aplikimi mund të bëhet përmes platformës eKosova në këtë link: https://ekosova.rks-gov.net/. Për informacione shtesë mbi thirrjen dhe dokumentacionin e nevojshëm, qytetarët dhe bizneset mund të vizitojnë: https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021.

Komuna e Drenasit i bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve private të shfrytëzojnë këtë mundësi për investime në energji të pastër dhe të qëndrueshme, duke përmirësuar efikasitetin energjetik dhe duke kontribuar në mbrojtjen e ambientit.

Afati i fundit për aplikim: 31 janar 2026. /Telegrafi/