Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Deçanit ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që ende nuk e kanë kryer pagesën e tatimit mbi pronën e paluajtshme, që ta realizojnë atë deri më 31 dhjetor 2025.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, pagesat e kryera pas këtij afati do të shoqërohen me penalitete, përkatësisht një gjobë prej 10 për qind mbi shumën e tatimit të papaguar, si dhe një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj vonesë.


Drejtoria për Buxhet dhe Financa nënvizon se mosrealizimi i pagesave brenda afatit do të çojë në aplikimin e masave ndëshkuese, të cilat mund të ndikojnë në përballimin e detyrimeve fiskale ndaj komunës, përcjell Telegrafi.

Tatimpaguesit janë të ftuar që të kryejnë pagesat brenda afatit për të shmangur penalitetet dhe për të kontribuar në realizimin e buxhetit komunal.

Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të kontaktojnë zyrat e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Deçanit. /Telegrafi/